Komuna e Lipjanit siç duket edhe këtë vit do të mbesë pa mbështetje për investime kapitale nga niveli qendror, ka konfirmuar për Ekonomia Online, kryetari Imri Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se mbështetje nuk ka pasur as vitin e kaluar, ndonëse janë dërguar me dhjetëra projekte nëpër ministri të ndryshme.
Bashkëpunimi me nivelin qendror, thotë Ahmeti nuk është i kënaqshëm, pasi që projektet aktuale janë të trashëguara nga kjo Qeveri. Ahmeti është skeptik nëse Lipjani do të përfitojë ndonjë projekt këtë vit.
“Natyrisht që nuk është i kënaqshëm, ne do donim të kemi bashkëpunim shumë më të mirë dhe një mbështetje më të mirë financiare. Nuk kemi projekte të reja as në vitin që po e lëmë pas, janë projekte që janë në vazhdim nga vitet e mëparshme por jo projekte të reja as në 2023-tën, si duket nuk do të kemi as në 2024-tën janë disa nga projektet që i kemi pas filluar bukur moti para dy vitesh dhe të cilat kanë stagnu, në mungesë të bashkëpunimit të mirëfilltë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe ministritë e tjera relevante”, u shpreh Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se mbështetje nuk kanë marrë as në projektet që participon komuna. Ai ka përmendur disa projekte të rëndësishme që i kanë dërguar në ministri të linjave për mbështetje por që nuk kanë marrë përkrahje.
“Jo një projekt por janë më dhjetëra projekte që ne i kemi dërgu. Përsëri këtë vit në fazën e ndërtimit të buxhetit me ministritë relevantë në të gjitha ministritë që kemi shkru iu kemi dërguar hartimet e projektit, kostot financiare të projektit dhe iu kemi dërgu gatishmërinë tonë si komunë për të participu në ato projekte, megjithatë nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. E di që nevojat e Lipjanit janë për disa projekte kapitale siç është rruga ‘Marie Shllaku’ ose rruga që lidh Lipjanin me Rufcin e Vjetër, është një rrugë e kushtueshme, për shkak të një ure që duhet të ndërtohet mbi shtatin e lumit ‘Sitnica’, kam prit së paku këtë rrugë ta kemi ose një shkollë fillore në Lipjan, ose ndonjë çerdhe që flitet që do të ketë shumë çerdhe nga Ministria por nuk e kemi konfirmimin akoma për asnjërën nga këto projekte”, ka thënë Ahmeti.
“Nuk e di, kah i kanë orientuar investimet kapitale, nuk e kam marrë akoma draft buxhetin e nivelit qendror të ministrive relevante, por e vërteta është që ne nuk kemi marrë mbështetje nga Qeveria as për 2023-tën e duket që as në 2024 do të jemi zero në projektet të reja”, u shpreh tutje Ahmeti.
E me mospërkrahje nga niveli qendror, Ahmeti do të mundohet që buxhetin e vitit 2024 ta orientojë tek disa investime kapitale. Tek kjo e fundit, Ahmeti ka thënë se do të ndërtohet parkingu nëntokësor, parku e ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Tek projektet kapitale kryesisht është investimi që do të ndodh me parkingun nëntokësorë, parkun, të njëjtën kohë është nënkalimi dhe vazhdimi i sheshit, janë projekte të integruara në një projekt, për shkak të lidhjeve që kanë edhe gjeografike në teren këtu tek ne. Është një projekt që do të vazhdoj tri vite që merr pjesën më të madhe të buxhetit, projekti tjetër i rëndësishëm është Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe Emergjenca. Ne akoma edhe sot funksionojmë atje me një emergjencë, disa baraka të paraluftës, synimi ynë është që atje të ndërtojmë një objekt të ri dhe e kemi fut në buxhet, besoj që procedura shumë shpejt do të publikohet”, ka thënë Ahmeti për EO.
E sa i përket asfaltimit të rrugëve në këtë komunë, Ahmeti ka thënë se shumica kanë përfunduar, përjashtimisht disa rrugica e të cilat pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.
“Nuk ka rrugë të mëdha që janë për një lokalitet të tërë, janë rrugë familjare nëpër lokalitete të ndryshme, fshatra të ndryshme, në të cilat kemi hyrë në ndërtim dhe jemi mirë duke ec, pritet tash së fundmi me fillu ndërtimet edhe në shumë fshatra të tjerë, me tri kontrata shtesë në një vlerë rreth 1 milion euro që janë kryesisht asfaltime në shumë fshatra, megjithatë na mbetet edhe pak punë në vitin e ardhshëm për të pa edhe shtresat e tjera të nevojshme në disa fshatra dhe rrugica të vogla familjare, rrugët e mëdha që e lidh një fshat nuk kemi diçka të tillë”, ka thënë Ahmeti.