Nën patronatin e kryetarit të komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, “Tahir Sinani”, është mbajtur Akademi Përkujtimore, me rastin e 18-të vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Lipjanit.
Qytetarë të shumtë të Lipjanit dhe fshatrave përreth kishin ardhur në këtë akademi për të nderuar të rënët, duke përkujtuar 18-të vjetorin e masakrave dhe terrorit të forcave serbe në Komunën e Lipjanit.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se sot po e rikujtojmë gjithë atë agresion pushtues famëkeq – serb, po e rikujtojmë flakën e viteve 98-99, vite të cilat mbajnë katrahurat tona të përjetimit, vite të cilat mbajnë përpjekjet tona shekullore e nacionale për liri dhe demokraci.
“Liria, ka emrin e vet tashmë, siç kishte çmimin e vet. Dëshmorët dhe martirët tanë nuk u pushtuan, ata vetëdijshëm u flijuan për ndërtimin e vendit tonë të lirë, sepse lirinë mjafton ta besosh, siç besuan ata fuqishëm me sakrificën e tyre për shtet –formim dhe shtet – ndërtim”, tha kryetarit Ahmeti.
Ai po ashtu tha se obligimi ynë i përbashkët është jo vetëm shënimi i përvjetorëve, por edhe përkushtimi, angazhimi konsistent, i përhershëm moral dhe institucional i punës me përgjegjësi për të realizuar amanetin, ëndrrën, idealin e gjithë dëshmorëve dhe martirëve tanë.
“Varrezat e dëshmorëve dhe martirëve ne Sllovi, Ribar të Vogël, Hallaq të Vogël dhe gjithë varrezat tjera në territorin e komunës tonë e me gjerë, atje ku pushojnë përjetësisht martirët e dëshmorët tanë, janë vendet e shenjta për ne, janë vendet e shenjta për qytetarët e komunës sonë e më gjerë”, ka shtuar kryetari Ahmeti.
Fjalë rasti pati edhe përfaqësuesi i fshatit Ribar i Vogël, Nystret Kelmendi. Ai tha se dëshmorët dhe martirët, janë gurthemeli i vendit tonë, kujtimi për ta, do të ruhet ndër breza.
Akademia është përmbyllur me një recital dhe dy këngë korale.