Skuadra nga Drenasi dhe ajo nga Gjakova do ta kërkojnë sot trofeun e çmueshëm, në përballjen e tyre në kryeqytet
Derisa futbolli kosovar do të pushojë në mesjavë, të njëjtën gjë nuk do ta bëjë edhe futsalli.
Në fakt, sot do të zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Kosovës në futsall.
Për trofeun e çmueshëm të kësaj gare do të përballen Liqeni nga Drenasi me Liburnin nga Gjakova.
Për shkak të gjendjes me pandeminë, edhe kjo ndeshje fatkeqësisht do të luhet pa praninë e shikuesve.
Dueli në mes të Liqenit dhe Liburnit do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë duke filluar nga ora 17:00.