Liria përbën njërën nga të drejtat themelore të njeriut, që e lejojnë qytetarin të jetojë në përputhje me vullnetin dhe dëshirat e tij.
Por, edhe liria e ka një kufi. Ky limit ekziston në mënyrën që liria askujt të mos shërbejë si pengesë për lirinë e të tjerëve.
Nga kjo, rrjedh thënia e njohur se “liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit”. Çdo individ është i lirë të jetojë si dëshiron, pavarësisht nga njerëzit të cilët mendojnë se mënyra e tyre e jetesës është më e lartë apo më superiore se e jona.
Megjithatë, ekziston një vijë e hollë në esencën e lirisë: sepse nëse fillojmë të vendosim kufizime në lirinë e tjerëve, atëherë ne nuk mund ta arsyetojmë atë në kufijtë e lirisë sonë. Ato veprime që e kërcenojnë lirinë e të tjerëve rreth nesh, duhet konsideruar si shkelje e të drejtave themelore dhe parësore të njeriut.
Liria e fjalës dhe e shprehjes nuk meriton debat, por duhet të ekzistojë duke u shoqëruar me kushtet që e rregullojnë përdorimin e saj. Prandaj mund të themi se shprehja “Liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit” i referohet ndarjes së lirive të një individi nga një individ tjetër. Kjo ndarje është e nevojshme për një rend të drejtë politik dhe shoqëror, pasi që çdo njeri duhet ta ketë hapësirën e tij personale dhe ka disa kufij të caktuar, të cilët nuk duhet t’i tejkalojmë.
Fakti se jemi qenie shoqërore dhe asnjëri prej nesh nuk ekziston në një vakum dhe izolim nga të tjerët duhet përcaktuar shprehur figurativisht, se sa hapësirë mund të ketë secili prej nesh, në mënyrë të drejtë, duke marrur në konsideratë edhe nevojat e njerëzve përreth nesh.
Ne kemi të drejtë të flasim dhe shprehim mendimet tona dhe nuk kemi të drejtë t’i detyrojmë të tjerët t’i heshtin mendimet e tyre.
Kjo mund të kuptohet me anë të një shembulli: çdo njeri e gëzon lirinë e lëvizjes, por kjo nuk i jep askujt të drejtë që të shkel në shtëpinë time dhe të marr gjërat e mija, në mënyrë joligjore dhe joetike.
Në thelb, njerëzit mund të bëjnë atë që dëshirojnë për sa kohë që askush tjetër nuk lëndohet nga veprimet e tyre. Ky është parim, mbi të cilin bazohen edhe shumica e sistemeve ligjore demokratike.
Liria është një nga thesaret më të çmuara për qeniet njerëzore, të cilët kanë përgjegjësi për ta respektuar, mbrojtur, përjetuar dhe për të parandaluar këdo që tenton të na uzurpojë atë.
Atëherë shtrohet pyetja ku e marrin guximin disa që t’ia marrin qoftë edhe lirinë më të vogël tjetrit?Sepse, në raste të tilla, sa herë që përvetëson dicka diçka që nuk është e jotja shkelet dinjiteti njerëzor.
Rjedhimisht, keqpërdorimi i lirisë nga të tjerët kërkon që të krijohen ligje për ta mbrojtur atë. Ndonse shpeshherë edhe ligjet shkelen nga ata që betohen për t’i mbrojtur ato. Mirëpo, s’ka formulë tjetër për ta mbrotjur lirinë pos me anë të ligjeve.
Liria lidhet edhe me parimin e respektit. E ky respekt i dinjitet human duhet të jetë mbi gjithçka tjetër, në mënyrë që ne ta gëzojmë së bashku lirinë në një shoqëri të karakterizuar nga rendi i drejtë shoqëror dhe politik.
Në përfundim, thënia “liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit” buron nga fakti se unë mund t’i ushtroj liritë e mia, për sa kohë që nuk jam duke e cenuar lirinë e dikujt tjetër.
(Autorja është nxënëse e QSE “Don Bosko” në Prishtinë. Kjo ese është shkruar në kuadër të detyrave në lëndën e filozofisë)