Instituti Riinvest ka mbajtur një tryezë të hapur ku kanë diskutuar për kornizën e investimeve në Ballkanin Perëndimor e ku është theksuar edhe rëndësia e heqjes së masave të Bashkimit Evropian që kishte vënë tash e sa kohë ndaj Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Zyrës për Bashkëpunim dhe Zhvillim nga Zyra e Kryeministrit, Florim Canolli u shpreh se pas heqjes së masave për fazën e dytë nga Bashkimi Evropian, Kosova do të përfitojë miliona grante për investime, të cilat veç janë në pritje të një njoftimi.
“Prej vitit 2009 kur ka fillu korniza investuese e Ballkanit Perëndimor kemi përfitu qindra miliona grante, po edhe ka grante të tjera të cilat janë në pritje të njoftimit përfundimtar të BE-së, për heqjen e masave për fazën e dytë, që është paralajmëruar këto ditë. Pra do të shtohen këto grante investuese, ndërsa përafërsisht vlera e investimeve nëse llogaritet kostoja e totalit të projekteve po edhe pjesës tjetër që financohet nga hua të ndryshme kjo shkon në miliarda. Pra kemi të bëjmë një instrument masiv”, tha Canolli.
Ndërkaq drejtori ekzekutiv i këtij instituti Alban Hashani tha se është koha e duhur që të diskutohet çështja e kornizës investuese në Ballkanin Perëndimor.
“Sot me krijimin e institucioneve të reja dhe vendimin e Komisioni Evropian për heqjen e masave ne konsiderojmë se është momenti i duhur për të riaktivizuar po këtë diskutim dhe momentum aktual krijon një dritare reale mundësie për të forcuar koordinimin institucional, për të përmirësuar cilësinë e e portfolios së projekteve dhe për të rritur përfitimet e Kosovës nga kjo platformë e rëndësishme financiare, e cila mbështet edhe zbatimin e planit ekonomik dhe të investimeve dhe planin të rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha Hashani.
Projekti sipas Hashanit fokus e ka sistemin e politikave të qeverisjes, por edhe fushat e tjera, mirëpo pas vendosjes së masave nga BE disa aktivitetet u pezulluan.
“Projekti pollesiensus fokusohet në sistemin e politikave qeverisjes dhe fushën e kërkimit dhe inovacionit, megjithatë përfshin edhe aspekte tjera të rëndësishme si arsimi, kultura, rinia, sporti po edhe agjendat të cilat Kosova ka marrë zotimin karshi Bashkimit Evropian në agjendën e përafrimit. Brenda këtij projekti ne patëm planifikuar një aktivitet të dedikuar për organizimin e një punëtorie që do të trajtonte disa aspekte konkrete për aplikimin e qasjes në instrumentet e kornizës së investimeve në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë aktivitetet siç e dimë u pezulluan, pjesërisht edhe për shkak të masave të BE-së dhe rrethanave të brendshme institucionale që pasuan”, u shpreh Hashani.

