Përveç lirimit të pengjeve izraelite, gjatë ditës pritet të lirohen 250 palestinezë të burgosur dhe 1.700 të ndaluar nga Gaza nga autoritetet izraelite, përfshirë 22 fëmijë. E këtë ditë prej kohësh po e presin qytetarët atje, ku një nga to është edhe shqiptaro-izraelitet, Felicita Jakoel.
Ndonëse jo të gjithë, megjithatë ajo tha se çdo kthim është një dritë që thyen errësirën e makthit i cili iu dukej që asnjëherë nuk do të mbaronte.
“Sot është dita që e kemi pritur prej dy vitesh të gjata. Më në fund, njëzet nga pengjet do të kthehen në shtëpi, në krahët e familjeve të tyre. Jo të gjithë, fatkeqësisht. Por çdo kthim është një dritë që thyen errësirën e këtij makthi që dukej se nuk do të mbaronte kurrë. Mendoj për familjet që humbën të dashurit e tyre në Festivalin Nova, aty ku pikërisht si në këtë ditë (sipas kalendarit hebraik) gjithçka filloi dy vite më parë. Mendoj për të rinjë e të rejat që nuk do të kthehen më kurrë, për ushtarët që dhanë jetën për të mbrojtur këtë vënd, më shumë se 900 djem e vajza dhe për familjet e tyre nëna, baballarë, gra, fëmijë motra e vëllezër që mbajnë e do të mbajnë mbi supe peshën e dhimbjes pa fund”, ka shkruar ajo.
Ajo e quan moment ringjallje, duke nënvizuar se sot mund të marrin frymë.
“Bashkohuni me ne në festimin e këtij momenti ringjalljeje, duke ndarë gëzimin e gjithë popullit dhe të familjeve të cilat, pas kaq shumë pritjeje, më në fund mund të thonë: “Ata po kthehen në shtëpi.” Sot mund të marrim frymë por rruga është ende e gjatë. Vetëm më pas kur të qetësohemi do të vazhdojmë…të pyesim: c’do të bëhet në vazhdim….”, ka shkruar Jokel.
Në Izrael ka arritur edhe Presidenti amerikan, Donald Trump e ku pritet të flasë para Parlamentit të këtij shteti, para se të udhëtojë drejt Egjiptit, ku është nikoqir i një samiti për paqe në Lindje të Mesme.