Gjykata Themelore në Mitrovicë, në mungesë të provave i ka liruar nga akuza për vrasje në tentativë, të akuzuarit Fejzullah Miftari dhe Xhevdet Jashari.
Aktgjykimi lirues është shpallur të martën nga kryetari i trupit gjykues, Ali Kutllovci, por se i njëjti dhe dy anëtarët tjerë të trupit gjykues Mentor Hajraj dhe Marigona Lajqi, nuk e kishin respektuar standardin e renditjes së trupit gjykues, me të cilin rast kryetari duhet të jetë në mes e anëtarët anash, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Miftari dhe Jashari u liruan nga aktakuza pasi gjykata ka vërtetuar se dashja në kryerjen e veprave penale nuk kishte qenë me paramendim. Të njëjtit u liruan edhe nga shpenzimet procedurale.
Ndërsa, pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil.
Ndryshe Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë më 19 shtator 2008 kishte ngritur aktakuzë kundër Fejzullah Miftarit, Xhevdet Jasharit, Izet Jasharit dhe Njazi Miftarit. Ndaj dy të akuzuarve të fundit, ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.
Dispozitivi i parë i aktakuzës e ngarkonte Fejzullah Miftarin se më 28 korrik 2008, rreth orës 23:30 min, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Zubin Potok në fshatin Koshtovë, afër shtëpisë së S.H, i pandehuri Miftari ka tentuar ta privojë nga jeta personin tjetër ashtu që pas një konflikti verbal në mes të pandehurve Fejzullah Miftari dhe vëllait të tij Njazi Miftari në njërën anë, dhe të pandehurve Xhevdet Jashari dhe Izet Jashari në anën tjetër, i pandehuri Fejzullah me thikë e godet të dëmtuarin Izet Jashari.
Aktakuza thotë se i pandehuri Miftari me thikë e ka goditur disa herë të dëmtuarin Izet Jashari në pjesën vitale të trupit, në anën e majtë të brinjëve duke e prekur edhe në mushkëri, ku i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime, Fejzullah Miftari akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentative” nga neni 146 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal.
Kurse, dispozitivi i dytë i aktakuzës e ngarkonte Xhevdet Jasharin se në kohën dhe vendin e si në pikën e parë të dispozitivit, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Fejzullah Miftari, në atë menyrë që me veturën e tij furishëm i vërsulet veturës të cilën e ngiste i dëmtuari Fejzullah, dhe e godet në pjesën e parë të veturës me qëllim që ta largojë jashtë rrugës dhe ta rrotullojë, mirëpo këtë nuk arrin.
Me këto veprime, Xhevdet Jashari akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentative” nga neni 146 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal.
Ndërsa, dispozitivi i fundit i aktakuzës i ngarkonte Izet Jasharin dhe Njazi Miftari se në kohën dhe vendin si më lartë, kanë marrë pjesë në rrahje që është shkakutar në mes të Fejzullah Miftarit e Njazi Miftarit dhe në anën tjetër Xhevdet Jasharit dhe Izet Jasharit, në të cilën rrahje Izet Jashari kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime secili veç e veç akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje nga neni 155 par.1 të Kodit Penal.