Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve 15 të akuzuarve (12 persona fizikë dhe 3 persona juridik) në rastin “Stenta 3”.
Në këtë rast, të akuzuar ishin Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Borche Petrovski, Lulzim Brovina, Arton Beqiri, Driton Sylejmani, Abdullah Tuna, Mahmut Çakmak, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Raif Çavolli dhe Nexhmi Zeqiri, si dhe tre persona juridik, përkatësisht spitalet private “International Medicine Hospital”, “Intermed” dhe “Doktor”.
Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të akuzuarit u liruan nga akuza për “Dhënie ryshfeti”, “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe “Shmangie nga tatimi”, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprat penale që iu viheshin në barrë.
Kurse, për të pandehurit Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna, refuzohet akuza për veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore”, si dhe për Nexhmi Zeqirin dhe NSh “Zemra dhe Rehabilitimi” për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, ngase ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.