Lirohen nga akuza zyrtarët e Kadastrit në Novobërdë

Prishtinë | 03 Dhj 2018 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Selatin Beqiri dhe Rrahim Ahmeti nga Novobërda u liruan nga akuza në Gjykatën Thermelore të Gjilanit.

Ata akuzoheshin se me veprimet e tyre, njëri si shef e tjetri si zyrtar i Drejtorisë së Kadastrit në komunën e Novobërdës, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Agim Ademi kryetar, dhe Rilind Sermaxhaj e Gazmend Ajvazi anëtarë, njoftuan se nga administrimi i provave gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se të pandehurit në fjalë kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, raporton kallxo.com.

Në aktakuzën e prokurorisë përfaqësuar nga prokurori Shaban Spahiu thuhet se të pandehurit Selatin Beqiri duke shfrytëzuar detyrën e tyre në bashkëkryerje kanë kryer veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sepse duke tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër – Ekrem Behluli nga Novobërda në atë mënyrë që në bazë të kërkesës së ushtruar nga ky i fundit e në kundërshtim me një udhëzim administrativ për zbatimin e Ligjit për themelimin e regjistrit për të drejtat në pronën e paluajtshme, kanë bërë regjistrimin e pronës përkatësisht ndërrimin në operatin kadastral për ZK Koretishtë, në librat katastrale për ngastrën nr. 3951/2 në sipërfaqe prej 2858 metra katrorë nga i dëmtuari Bekim Mustafa në emër të Ekrem Behlulit duke u thirrur në aktvendimin mbi revizionin i cili vendim çështjen civile lidhur me këtë pronë e ka kthyer në rigjykim por që ushtruesi i kërkesës Ekrem Behluli sipas këtij aktvendimi nuk ka qenë bartës i të drejtës së pronës së paluajtshme të kërkuar për regjistrim në emër të tij dhe me këtë të pandehurit i kanë shkaktuar dëme material të dëmtuarit Bekim Mustafa në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro.

Kundër këtij vendimi palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh nga pranimi i këtij vendimi.

Të NgjajshmeGjendet i vdekur një person në Novobërdë Pezullohen tre zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë Tahiri, Papadopoulou e O’Connell vizitojnë Institutin e Mjekësisë Ligjore Kthehet në rigjykim rasti i zyrtarëve të komunës së Drenasit Kandidati i LDK-së për Novobërdën dënohet me 3100 euro Kandidatët për kryetar të Novobërdës premtojnë zhvillim

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme