Shtatë boksierët e ardhur nga Londra para dy javësh, që u mbajtën në karantinë në Qendrën e Studentëve janë liruar gjatë së premtes, raporton Ekonomia Online.
Besim Brahimi, trajner i Kombëtares së Kosovës në boks, tha se gjatë dy javëve të qëndrimit ne konvikt kanë pasur trajtim të mirë nga ana e stafit dhe personelit mjekësore.
Ai ka treguar se të gjithë boksierët do të vetizolohen në shtëpitë e tyre, duke shtuar se do të vazhdojnë aktivitet e planifikuara.
“Tashme do të vazhdojmë vetizolimin në shtëpitë tona. Iu kam ndarë aktivitet sportive secilit sportist që t’i kryejë nga shtëpia”.
Bokseria Donjeta Sadiku, shpreson të kalojë e gjithë kjo gjendje, dhe t’i kthehen jetës normale.
“Kemi kaluar një kohë të gjatë më shumë se një javë. Sot është dita e 17 kur edhe jemi liruar nga karantina. Kemi kaluar një kohë shumë pozitive duke bërë stërvitje, duke lexuar libra dhe duke biseduar me të afërmit”.
“Besoj që të gjitha këto ndodhi do të kalojnë. Vetizolimi ka shkuar shumë mirë dhe të gjithë kemi dalë negativ. Në shtëpi do të vazhdojë vetizolimin”, shtoi Sadiku.
Deri më tani në Qendrën e Studentëve e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës ishte lëshuar për karantinë, janë vendosur gjithsej 230 qytetarë të kthyer në mënyrë të organizuar të cilët kishin mbetur jashtë vendit.
Fillimisht ishin kthyer Ekipi Kombëtar i Boksit, pastaj 40 qytetarë nga Turqia, 180 nga Gjermania dhe 55 nga Zvicra.