Tre të burgosur talibanë u liruan nga Qeveria afgane dhe fluturuan drejt Katarit, njoftuan burimet e militantëve talibanë.
Lirimi i tyre vjen në kuadër të shkëmbimit me dy pengje perëndimore, të mbajtura nga talibanët.
Vendndodhja e këtyre pengjeve, amerikanit Keven King dhe australianit Timothy Weeks, nuk dihet ende.
Burime nga talibanët thanë se ata – të dy profesorë në Universitetin Amerikan të Afganistanit në Kabul – do të lirohen gjatë ditës.
Një javë më parë, presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, u pajtua për lirimin e tre talibanëve në këmbim të dy pengjeve perëndimore, duke shfaqur shpresën se një gjë e tillë mund t’iu hapë derën bisedimeve për paqe me talibanët.
Këta të fundit, deri më tash, kanë refuzuar të bisedojnë me Qeverinë në Kabul, duke e konsideruar atë si “kukull” të Perëndimit.
Lufta në Afganistan ka nisur që 18 vjet, kur SHBA-ja ka ndërhyrë për të rrëzuar regjimin taliban nga pushteti.
Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një seri bisedimesh me përfaqësuesit e talibanëve në Katar, gjatë viteve të fundit, por ato janë ndërprerë, pa sjellë ndonjë rezultat të madh.