Lisa Marie Presley raportohet se e ka bërë një marrëveshje milionëshe për ta shkruar një libër, i cili do të përfshijë detaje “shokuese” për ish-bashkëshortin e saj Michael Jackson.
Këngëtarja 51-vjeçare, e cila ishte e martuar me Jacksonin nga viti 1994 deri në vitin 1996, thuhet se po planifikon ta shpalosë jetën e saj me Mbretin e Popit në një vëllim bombastik të cilin thuhet se ia ka shitur Gallery Books për 3 deri në 4 milionë dollarë.
Një burim shtoi në faqen e kolonës së thashethemeve të “New York Post” se vëllimi “premton zbulime shokuese për Michael Jackson dhe një kuptim krejtësisht të ri për (babanë e Lisa) Elvisin”.
Është e paqartë natyra e zbulimeve të planifikuara të Lisas për Michael, por marrëveshja rreth librit vjen pas thashethemeve të vazhdueshme të abuzimit të fëmijëve, të cilat ndërlidhen me këngëtarin, shkruan KOHA Ditore. Dokumentari i Dan Reed, Leaving Neverland, i eksploroi pretendimet e dy meshkujve, Wade Robson dhe James Safechuck, të cilët pretenduan se Jackson i kishte angazhuar ata në akte seksuale shumë herë në fëmijërinë e tyre. Përfaqësuesit e trashëgimisë së Jacksonit vazhdojnë t’i mohojnë me ngulm akuzat dhe madje iu drejtuan gjykatës në përpjekje për ta ndaluar transmetimin e dokumentarit.