Lista e re, oferta e vjetër

Prishtinë | 13 Dhj 2024 | 11:14 | Nga Agim Shahini

Partitë politike kanë publikuar listat e tyre me 110 kandidatë për deputetë në Parlamentin e Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Megjithatë, kjo ofertë nuk duket të jetë mjaftueshëm motivuese për të nxitur pjesëmarrjen masive të votuesve.

Partitë nuk kanë arritur të rekrutojnë figura të reja, tërheqëse, të besueshme dhe konkurruese, të cilat do të kishin potencialin për të tërhequr interesimin e votuesve, sidomos të rinjve. Mungesa e kandidatëve me ide të reja dhe vizion të qartë për përmirësimin e standardit jetësor ka bërë që listat të duken si një ripërtëritje e emrave të vjetër. Për më tepër, edhe disa prej emrave të rinj të paraqitur janë familjarë ose të lidhur me figurat e vjetra politike, duke forcuar perceptimin e një “rinovimi” të sipërfaqshëm.

Shumë prej kandidatëve janë figura të njohura që kanë qenë pjesë e skenës politike për vite me radhë, por që nuk sjellin një frymë të re në ofertën politike. Në një situatë ku partitë e reja pothuajse mungojnë dhe partitë e vjetra janë provuar nga votuesit pa ndonjë ndryshim domethënës, pritshmëritë për ndryshim mbeten të ulëta.

Pavarësisht ndikimit të madh që bizneset kanë në ekonominë e vendit, përfaqësimi i tyre në listat zgjedhore është minimal. Përfshirja e figurave të suksesshme nga sektori privat, që mund të ofronin ide dhe zgjidhje inovative, mungon. Në një kohë kur politika shpesh drejtohet nga interesat ekonomike, një përfaqësim më i madh i biznesit mund të kishte ndikuar pozitivisht në orientimin e fushatës dhe, ndoshta, edhe në zgjedhjen e fituesit.

Me këtë ofertë të varfër politike, duket se klasa e vjetër politike nuk ka dashur të krijojë konkurrencë për vetveten. Lista të reja me emrat e vjetër konfirmojnë mungesën e vullnetit për të ndikuar ndryshimet e duhura. Kjo tregon qartë se partitë nuk janë të gatshme të hapin rrugën për një frymë të re konkurrues.

Mungesa e motivimit për zgjedhje

Në kushtet aktuale, ku Kosova përballet me një emigracion masiv dhe me një elektorat të lodhur nga premtimet boshe, nuk pritet një motivim i madh për të dalë në zgjedhje. Kjo situatë mund të rezultojë në një pjesëmarrje të ulët, duke e bërë të vështirë krijimin e një ndryshimi të qëndrueshëm dhe të mirëpritur nga qytetarët.

Në fund, pa figura të reja dhe pa ide të qarta për një të ardhme më të mirë, partitë politike rrezikojnë ta kthejnë procesin zgjedhor në një formalitet që nuk do të prodhojë ndryshime reale për jetën e qytetarëve dhe bizneseve.

Të ngjashme