Lista Serbe nis peticion kundër ndërtimit të dy urave mbi Ibër

Prishtinë | 07 Kor 2025 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Me nismën e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, në Mitrovicë të Veriut nisi të hënën një peticion kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër.

Gurëthemelet e tyre u vendosën më 1 korrik, me praninë e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës ndau rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave: njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë.

Kurti tha se qëllim i këtij projekti është lidhja e Mitrovicës së Veriut, me popullsi shumicë serbe, me Mitrovicën e Jugut, ku shumica e popullsisë është shqiptare.

Ai, gjithashtu, tha se Qeveria është e përkushtuar për një “komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh midis Veriut dhe Jugut”.

Në anën tjetër, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i tha Radio Televizionit të Serbisë përpara fillimit të nënshkrimit të peticionit, se qëllimi është “të tregohet një qëndrim i unifikuar i popullit serb, se ai nuk pranon vendime të njëanshme për projekte në dëm të komunitetit serb”.

Ai tha se peticioni do të jetë i disponueshëm për nënshkrim gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa më pas do t’i përcillet bashkësisë ndërkombëtare.

Nga Bashkimi Evropian i thanë Radios Evropa e Lirë më herët se çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës përgjatë lumit Ibër, duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – përkatësisht me përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve të prekura.

Urat, përndryshe, do të ndërtohen pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë urë qëndrojnë vazhdimisht pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, pasi ajo njihet për konflikte etnike në periudhën e pasluftës.

Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për mbylljen e saj për qarkullimin e makinave.

Aktualisht, ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Verën e kaluar, Qeveria e Kosovës paralajmëroi se ajo mund të hapet për trafik – gjë që i rriti tensionet dhe shkaktoi reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kryeministri në detyrë, Kurti, tha se Qeveria e tij nuk do të heqë kurrë dorë nga hapja e urës kryesore.

Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica e Veriut i thanë më herët Radios Evropa e Lirë se hapja e urës kryesore vetëm se do t’i rriste tensionet në terren, ndërsa shqiptarët nga Mitrovica e Jugut deklaruan se një veprim i tillë do të kontribuonte në bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes.

Të ngjashme