Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ka hedhur votën e tij në qendrën e votimit të hapur në Shkollën Teknike, i shoqëruar nga udhëheqësit e kësaj partie politike, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë se serbët në këtë pjesë të Kosovës do të tregojnë se vazhdojnë të ndjekin politikën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Me këtë rast kryetari i Listës Serbe dhe zëvendëskryeministri aktual në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ka thyer heshtjen zgjedhore, duke ftuar hapur qytetarët e Mitrovicës së Veriut të dalin sa më masivisht në zgjedhje dhe ta votojnë kandidatin e këtij subjekti politik, Milan Radojeviq.
Rakiq, ish-kreu i komunës së Mitrovicës Veriore, u shpreh i bindur për një fitore të kandidatit të partisë të cilës i takon.
“Pres fitoren bindëse të kandidatit të Listës Serbe. Sot kemi dëshmuar edhe mbështetjen që e kemi nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilën do ta dëshmojmë edhe gjatë ditës”, është shprehur Rakiq.
Edhe vetë Radojeviq bëri thirrje për dalje masive. “Ftoj qytetarët ta shfrytëzojnë drejtën e tyre dhe të votojnë, natyrisht duke respektuar këshillat për mbrojtje nga pandemia. Të votojnë për të ardhmen e tyre, të votojnë për kontinuitetin e politikës”.
Sipas tij, Mitrovica e Veriut është “beden i mbijetesës së serbëve në këto hapësira”.
Edhe deputeti i Listë Serbe, Igor Simiq, ka kërkuar votën për Milan Radojeviqin. Edhe ai nuk ka harruar të përmendë dhe falënderojë për përkrahjen presidentin e Serbisë.