Lista Serbe u drejtohet ndërkombëtarëve pas mbylljes së ujësjellësit në Mitrovicën e Veriut

Prishtinë | 13 Maj 2025 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Mëngjesin e sotëm u njoftua për mbylljen e ndërmarrjes ilegale të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit paralel serb.

Njoftimin e bëri ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila theksoi se ky veprim u bë me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të dikasterit qeveritar që ajo drejton.

Ajo tha se veprimi u ndërmor në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti, ndërmjet Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, ku, sipas saj, thuhej se “shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica”.

Por, ky veprim nuk i ka pëlqyer subjektit politik Lista Serbe, i cili ka vendosur t’i shkruajë komunitetit ndërkombëtar në Kosovë një letër të hapur.

“Ky akt përfaqëson një tjetër në vargun e veprimeve të njëanshme dhe provokuese, të cilat në vend se të kontribuojnë në stabilizimin e situatës, thellojnë tensionet dhe shkaktojnë frikë të justifikuar tek popullata” lokale serbe, ka thënë kjo parti në letrën drejtuar ambasadave të Quint-it, BE-së, OSBE-së, UNMIK-ut dhe KFOR-it.

Kjo parti pretendon se qytetarët serbë “janë me të drejtë të shqetësuar për sigurinë dhe furnizimin e rregullt me ujë, veçanërisht të institucioneve shëndetësore dhe konvikteve studentore”.

Lista Serbe thotë se “nëse veprime të tilla vazhdojnë, ekziston rreziku real për pasoja serioze humanitare dhe shëndetësore”, teksa u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare të reagojnë.

Për mbylljen e ujësjellësit, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, teksa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka theksuar se ky institucion punëson mbi 80 punëtorë, “për të cilët Serbia do të vazhdojë të kujdeset”.

“Ekzekutuesit e punëve të pista të Kurtit e hoqën tabelën me emrin e ujësjellësit serb dhe e zëvendësuan atë me një tabelë me emrin e ujësjellësit rajonal nga pjesa jugore e qytetit të Mitrovicës, dhe u thanë punonjësve se kishin një afat për t’u ‘integruar në sistemin e Kosovës’”, tha Petar Petkoviq, shef i kësaj zyre. /klankosova

Të ngjashme