Liverpooli është duke luftuar fort për të fituar titullin e parë të Anglisë pas 30 vjetëve, mirëpo ky insistim për t’i dhënë fund pritjes së gjatë nuk ka zbehur ambiciet e Liverpoolit që të synojë mbrojtjen e titullit në Ligën e Kampionëve.
Djelmoshat e Juergen Kloppit të martën mbrëma e tejkaluan atë test të vështirë duke e mposhtur Salzburgun 2:0 në Austri dhe siguruan kalimin në 1/8 e finales si fitues të Grupit E.
Liverpooli në këtë mënyrë do të evitojë në 1/8 e finales skuadrat si Bayern Muenchen, Barcelona, Juventus, Paris Saint-Germain dhe Manchester City në shortin që do të hedhet të hënën dhe e ka të garantuar të luajë ndeshjen e kthimit në “Anfield Road”, shkruan sot Koha Ditore.
Liverpooli ka një orar të ngarkuar në dhjetor, me nëntë ndeshje këtë muaj nëpër katër gara. Do të luajë në çerekfinale të League Cup dhe në gjysmëfinale të Botërorit të klubeve në dy ditë rresht javën e ardhshme.
Një skuadër me të rinj do të aktivizohet kundër Aston Villas në League Cup, ndërsa ekipi i parë do të udhëtojë në Katar. Mirëpo, përdorimi inteligjent i skuadrës në momentet e duhura nga Juergen Klopp ka bërë që të mos ketë rënie në rezultate.