“Reds” do të tentojnë sonte ta shkrijnë avantazhin prej dy golash ndaj madrilenëve në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Interesante pritet të jetë edhe sfida tjetër, Borussia Dortmund – Manchester City
Liverpooli dhe Real Madridi do ta zhvillojnë sonte betejën e dytë në mes vete në Champions League.
“Los Blancos” e fituan përballjen e parë me rezultat 3:1 në Spanjë.
Ndërkaq, sonte në “Anfield Road” do të përcaktohet skuadra që do ta prekë gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
Të dyja skuadrat do të përballen me lëndime dhe mungesa, mbi të gjitha “Mbretërit”, shkruan Gazeta Express.
Në fakt, trajneri Zinedine Zidane nuk do të mund të llogarisë në mbrojtësit, Sergio Ramos, Raphael Varane e Dani Carvajal.
Gjithashtu, as në lojtarët ofanzivë, Eden Hazard e Lucas Vazquez.
Nga ana tjetër, edhe “Reds” do të jenë të mangët në mbrojtje.
Atyre iu mungojnë Virgil van Dijk, Joe Gomez, Joel Matip, ndërsa iu rikthehet mesfushori Curtis Jones.
Sidoqoftë, kampioni anglez synon ta përmbysë disavantazhin prej dy golash ndaj madrilenëve.
Edhe pse, trajneri Jurgen Klopp thotë se do të jetë e vështirë të përsëritet përmbysja që Të Kuqtë e kishin bërë ndaj Barcelonës.
Nga ana tjetër, Reali shkon në Angli për ta ruajtur kapitalin e krijuar në lojën e parë dhe me këtë rast ta presë një biletë për gjysmëfinale.
Edhe përballja tjetër e natës, Borussia Dortmund – Manchester City pritet të jetë mjaft interesante.
Ekipi i Pep Guardiolës e kishte fituar lojën e parë 2:1 dhe shkon në Gjermani për ta konfirmuar kualifikimin.
Mirëpo, Dortmundi i drejtuar nga Erling Haaland është i rrezikshëm në shtëpi dhe do ta tentojë përmbysjen për ta parë veten në mesin e katër ekipeve më të mira të kësaj gare.
Të dyja ndeshjet do të fillojnë në orën 21:00.