Liverpooli po kërkon portier në Serie A

Prishtinë | 29 Maj 2018 | 15:57 | Nga

Nuk ishin vetëm gabimet në finale të Champions League, ato që shtynë Liverpool të kërkojë një portier në vend të Loris Karius.

Skuadra nga “Anfield” ka kohë që ka vështirësi në këtë repart, e madje muaj më parë Insporti.com raportoi se Jurgen Klopp kishte sjell ekspertin austriak, Hans Leitert, i cili kishte si mision këshillimin e trajnerit gjerman lidhur me ndryshimet që duhet t’i bëjë në portë.

Tereni për ndryshime ishte përgatitur qysh herët, por pastaj erdhën disa paraqitje relativisht të mira nga Karius dhe kjo çështje u hesht deri në finalen e 26 majit, mbrëmje e cila e ka vulosur fatin e gardianit gjerman.

Fillimisht u raportua se Liverpool kishte bërë ofertë zyrtare kundrejt portierit të Milan, Gianluigi Donnarumma, e cila sipas shtypit italian shkonte nga 60 deri në 70 milionë euro, por duket se vet portieri 19 vjeçar e ka shtyrë vendimin e tij për të kaluar në Premier League.

Kurse, së fundmi u tha se Liverpool po në Itali po e shikon edhe një tjetër portier, shqiptarin e Lazios, Thomas Strakosha.

Duke parë se skuadra angleze dëshiron sa më parë ta zgjedh çështjen e portierit, mediat në Itali raportojnë se Lazio ka marrë një ofertë prej 30 milionë euro për Strakoshen, me ç’rast drejtori sportiv Igli Tare dhe presidenti Claudio Lottito, janë duke e shqyrtuar seriozisht ofertën e Liverpool për 23 vjeçarin.

Raportimi bëhet edhe më i besueshëm, pasi kuptohet se Igli Tare, ka hedhur interesimin e tij tek gardiani veteran spanjoll, Iker Casillas, që pritet ta zëvendësoj Strakoshen në portën e “Biancocelest”-ëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme