Një gol spektakolar i Mohamed Salahut ka ndihmuar Liverpoolin që të kthehet në krye të Premier Leagues dhe të mbajë epërsinë prej dy pikëve ndaj Manchester Cityt, me fitoren 2:0 të shënuar në shtëpi të dielën ndaj Chelseat.
Manchester City më herët të dielën fitoi 3:1 në udhëtim ndaj Crystal Palace, që nënkuptonte se Liverpoolit i duhej fitorja për të kthyer kreun, transmeton “Koha Ditore”. Liverpooli e arriti fitoren dhe pas 34 xhirove ka 85 pikë, dy më tepër se Manchester City që zë vendin e dytë. Por kampioni në fuqi, City, ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Manchester City i Pep Guardiolas duhet të përballet me Tottenhamin dhe Manchester Unitedin në dhjetë ditët e ardhshme, ndërsa Liverpooli më nuk ka ndeshje ndaj skuadrave të Top 6. Kështu që Liverpooli ka rast të madh për t’i dhënë fund pritjes 29-vjeçare për një titull të Anglisë.
“Jam shumë krenar për skuadrën, ishte një performancë fantastike. Çfarë skuadre, çfarë stadiumi, çfarë atmosfere. Jam shumë falënderues që mund të jem pjesë e kësaj, është e madhe. Neve duhet të na interesojë vetëm loja jonë. Duhet të marrim sa më tepër pikë të jetë e mundur dhe nëse jemi kampionë atëherë në rregull, por edhe nëse nuk ia dalim, prapë jemi një skuadër vërtetë e mirë e futbollit”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp për BBC.