Ministri i Tregtisë në Serbi, Rasim Ljajiç, ka thënë se nuk pret që çështja e Republikës së Kosovës të zgjidhet edhe në vitin 2019, pasi sipas tij situata është e komplikuar shumë.
Ai thotë se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për taksë ndaj produkteve serbe, e ka kthyer progresin tre hapa mbrapa.
Ai thotë se Brukseli gjatë vitit 2019 do të jetë i zënë me zgjedhjet në Parlamentin Evropian, dhe nuk do të kenë interes që të merren me Kosovën dhe Serbinë.
“Çështja e Kosovës është shumë e ndërlikuar, që të presim një zgjidhje në vitin 2019, veçanërisht pasi jemi në prag të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian. Kemi një administratë në Bruksel e cila është në largim dhe nuk besoj që prej tyre mund të pritet ndonjë angazhim serioz”, ka thënë Ljajiç për ‘pink.rs’.
Megjithatë liderët politik në Kosovë, presin që viti 2019, të jetë viti i një zgjidhje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.