Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci se bashku me Komandanten e Stacionit të Policisë në Drenas, Feime Bajrami dhe drejtoreshat e komunës, kanë vizituar Qendrën për Promovimin e Drejtave të Grave në Drenas (QPDG) ku janë takuar me drejtoreshën e kësaj qendre, Kadire Tahiraj.
Me këtë rast, kryetari Lladrovci ka blerë edhe dhjetëra medaljone, të punuara nga duart e grave të kësaj qendre të cilat do t’i dhurojë për mikpritësit në Baden të Gjermanisë dhe disa të tjera edhe në Parlamentin Evropian dhe të zv. Presidenti i Parlamentit Evropian, Ranier Wieland që është edhe qytetar nderi i Drenasit.
Lladrovci gjatë takimit me drejtoreshën e QPDG-së, Kadire Tahiraj, tha se e vërteta rreth të kaluarës tonë të hidhur duhet të dihet. “E vërteta rreth të kaluarës tonë të hidhur duhet të dihet. Liria e kishte çmimin tepër të lartë. Pas rrëfimit tronditës të para disa ditëve nga Vasfije Krasniqi Goodman, para Kongresit Amerikan, u rihap çështja e tmerrshme e dhunimit si mjet lufte si dhe krimit monstruoz sistematik të kriminelëve serbë kundër popullatës civile. Kosova ka përjetuar me mijëra raste të tilla, ndërsa asnjë autor apo ekzekutor i këtyre krimeve nuk është dënuar. Çdo komunë jona, ka përjetuar dhunën e tillë të shfrenuar, të okupatorëve që i kishin ditët e orët e numëruara në Kosovë. Kam besim, se asgjë më nuk do të jetë njësoj, deri sa kjo e vërtetë e Vasfijes nuk doli në shesh, në paraqitjen zyrtare, para Komisionit të Kongresit Amerikan; gardianit të lirisë dhe të drejtave në nivel global. Sot, Kadirja më konfirmoj se në takimin që kanë mbajtur me kryeparlamentarin Kadri Veseli, është diskutuar për fillimin e procedurave për krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e Serbisë në Kosovë. Ky është një hap drejt synimeve tona të përbashkëta që kryesit e veprave të marrin dënimin e merituar” ka thënë kryetari Lladrovci dhe ka falënderuar Kadire Tahiraj dhe anëtaret e shoqatës për punën e palodhshme.