Lladrovci: Drenasi nuk ka ujë, do t’i drejtohemi drejtësisë për mosangazhimin e KRU Prishtinës

Prishtinë | 09 Sht 2026 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ngritur shqetësimin për mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm në komunë, duke thënë se qytetarët po përballen me një situatë të padurueshme.

Në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Drenasit, të thirrur për çështjen e furnizimit me ujë, Lladrovci tha se problemi nuk duhet të shihet si çështje politike, por si një shqetësim që prek drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

“Kjo mbledhje nuk ka motive politike. Nuk ka qëllim të atakojë nivelin qendror as rajonin e Prishtinës. Kjo seancë është e ftuar për të dëshmuar gjendjen e rëndë të qytetarëve të Drenasit”, tha Lladrovci.

Ai theksoi se furnizimi me ujë mbetet një prej prioriteteve kryesore të qeverisjes lokale, duke kujtuar zotimin e tij për furnizim të pandërprerë me ujë.

“Kam deklaruar se i garantoj qytetarët për ujë të pijes 24 orë. E kam deklaruar se të gjitha përgjegjësitë tona rreth furnizimit me ujë i kryej me përgjegjësi të plotë”, u shpreh ai.

Lladrovci tha se situata aktuale ka tejkaluar çdo kufi të tolerimit dhe se Drenasi po përballet me mungesë të ujit edhe pas reshjeve të vogla.

“Po, uji është jetë. Drenasi nuk ka ujë. Drenasi nuk meriton këtë trajtim”, deklaroi ai, duke shtuar se “në shekullin 21 Drenasi, po e bart sfidën e mungesës së ujit”.

Sipas tij, Komuna e Drenasit ka investuar rreth 3 milionë euro në tri vitet e fundit në infrastrukturën e ujësjellësit, përfshirë gypat primarë e sekondarë, ndërsa janë realizuar mbi 3 mijë kyçje të ekonomive familjare në rrjetin e ujit të pijshëm.

“Ne kemi investuar për infrastrukturë, por, pompat është e pamundur t’i aftësojmë edhe për faktin se janë në komunë tjetër dhe është çështje vetëm e nivelit qendror”, tha Lladrovci, duke iu referuar pompave në Bivolak të Vushtrrisë.

Ai kritikoi edhe KRU “Prishtina”, duke pretenduar se burime alternative të ujit në territorin e Drenasit janë lënë jashtë funksionit.

“KRU ‘Prishtina’, i ka lënë jashtë funksionit këto burime, me gjithë investimet nga Komuna e Drenasit, investime të cilat nuk i takojnë Komunës”, tha ai.

Kryetari i Drenasit deklaroi se Komuna ka bërë investime edhe në stacione pompimi dhe ka mbuluar shpenzime të energjisë elektrike për të ndihmuar në furnizimin me ujë.

“Sigurimi i ujit të pijes bëhet nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal ‘Prishtina’, dhe komuna apo pushteti lokal mund t’i ofrojë vetëm përkrahje në infrastrukturë, punë të cilën e kemi bërë me investime të vazhdueshme”, u shpreh Lladrovci.

Ai paralajmëroi se Komuna do t’u drejtohet organeve të drejtësisë për mungesën e furnizimit me ujë.

“Do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë për mos angazhim të KRU Prishtinës. Do të kërkojmë drejtësi për mosveprim në pajtim me mandatin dhe përgjegjësinë”, deklaroi ai.

Lladrovci ngriti shqetësimin edhe për institucionet arsimore, veçanërisht me fillimin e vitit të ri shkollor.

“Rrezikimi i shëndetit publik, në veçanti me fillimin e vitit të ri shkollor, pa ujin e pijes, është çështje që tejkalon sërish kompetencën e komunës”, tha ai.

Ai kërkoi nga KRU “Prishtina” dhe institucionet qendrore që të ndërhyjnë për zgjidhjen e problemit.

“I bëjmë ftesë KRU Prishtinës, i bëjmë ftesë Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, mos i diskriminoni qytetarët e Drenasit”, tha Lladrovci.

Në fund, ai paralajmëroi veprime ligjore ndaj përgjegjësve për, siç tha, moskryerjen e detyrave lidhur me furnizimin me ujë.

“Kjo seancë, lë të shërbej si pikë e vlimit të pakënaqësisë e protestës tonë për mungesën e ujit të pijes. Këtu po paralajmërojmë veprimet ligjore me padi ndaj përgjegjësve për moskryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të punës për furnizim me ujë për qytetarët e komunës së Drenasit”, deklaroi ai.

Të ngjashme