Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi i takon gjeneratës së shtetndërtimit, e cila ka dëshmuar profesionalizëm, guxim dhe parime në çdo përgjegjësi institucionale.
Sipas tij, Rama-Hajrizi nuk i nënshtrohet asnjë presioni dhe se Kushtetutën e interpreton drejtë dhe në mënyrë profesionale.
Me poshtë postimi i plotë i Lladrovcit në ‘Facebook’:
Kur kam deklaruar se Kushtetuta nuk është llastik, e kam pasur parasysh se kush është në krye të saj.
Znj. Arta Rama-Hajrizi i takon gjeneratës së shtetndërtimit, e cila me kompetencë ndër vite, dëshmoi profesionalizëm, guxim dhe parime në çdo përgjegjësi institucionale.
Kosova bëhet shtet i nderuar, kur ka institucione të besueshme dhe udhëhiqen nga personalitete si znj. Arta Rama-Hajrizi.
Unë kam qenë shumë i bindur se ajo nuk i nënshtrohet asnjë presioni dhe se Kushtetutën e interpreton drejtë, duke mos e humbur fuqinë e vet qytetari nëpërmjet Parlamentit i cili bart përgjegjësitë e mëtejme shtetërore.
Krenar me Juve znj. Arta Rama-Hajrizi. Ju i bëni nder Kosovës dhe qytetarëve të saj!