Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se pavarësisht deklarimeve të tij “të qarta si rrezja e diellit”, mjegulla politike rreth degës së Drenasit “nuk po hiqet”.
Ai ka shtuar se disa eksponentë të partisë po e paraqesin disfatën si fitore dhe po tentojnë ta normalizojnë gjendjen aktuale.
Sipas Lladrovcit, mësimi nga rasti i Drenasit nuk ka prodhuar reflektimin e nevojshëm.
Ai ka kritikuar “ligjëratat koti” nga disa zyrtarë, përfshirë kryetarin e ri të partisë Bedri Hamzen, për të cilin thotë se po synon të barazojë shkakun me pasojën.
Në reagimin e tij, Lladrovci thekson se uniteti duhet të jetë zotim për qëllime më të larta se fati i një dege ose individi, duke nënvizuar se vetëm përmes unitetit mund të sigurohet fitore dhe ndryshim i gjendjes së Kosovës.
Ai ka kërkuar ridefinim të qasjes dhe metodave të veprimit politik brenda PDK-së, duke përdorur “gjuhën e fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile”.
Lladrovci ka theksuar se shkurtpamësia politike duhet të largohet nga partia, e cila, siç ka thënë, është krijuar nga heronjtë e luftës dhe paqes, duke përfaqësuar breza të tërë me përkushtim atdhetar për një Kosovë me vlera euro-atlantike. Në të kundërtën, ka paralajmëruar ai, “keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shtetformuese dhe shtetndërtuese”.