Lladrovci: Kosova që katër vjet e vuan mungesën e heronjve të saj të luftës dhe paqes

Prishtinë | 04 Nën 2024 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci është shprehur se tash e katër vjet, Kosova e vuan mungesën e heronjve të saj të luftës dhe paqes, duke iu referuar kështu Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Më shumë se kurrë, Kosovës sot i mungojnë bijtë e saj më besnikë e dalëzotës. Për këto katër vjet, vendi u qeveris nga keqbërës e keqpërdorues masiv të besimit qytetar, të institucioneve dhe të parasë publike. Orteku që do ta dërgojë në shtëpi këtë Qeveri, tashmë është nisur. Paaftësia në qeverisje, shkeljet e ligjit, korrupsioni, mosmirëmbajtja e aleancave tona jetike dhe degradimi i shtetit marrin fund më 9 shkurt 2025”, ka shkruar tutje Lladrovci në Facebook.

I pari i Drenasit shton se Kosova do të zgjedh më meritorët për ta udhëhequr mandatin e ardhshëm, pa afera, pa shkelje të Kushtetutës dhe pa komplekse inferioriteti, me besim në forcat pozitive të Kosovës bashkë me aleatët brenda vlerave të arritura demokratike me mund e përkushtim.

“Bedri Hamza si kryeministër pres ta ndalojë degradimin dhe ta kthej Kosovën në rrugë të mbarë, ndërsa heronjtë tanë të luftës dhe paqes do të marrin ndihmën e Shtetit dhe Qeverisë me kushtet e duhura për mbrojtjen meritore. Gati për ndryshim!”, përfundoi Lladrovci shkrimin e tij.

Të ngjashme