Me një manifestim nën përkujdesjen e Presidentes Osmani dhe komunës së Drenasit, është bërë përurimi i shtatores së heroit Dr. Hafir Shala, dhe me këtë rast, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur fjalë rasti.
Lladrovci ka potencuar profilin e jashtëzakonshëm humanitar të dr. Hafir Shala, konteibutin e tij dhe fatin tragjik.
Ai në fjalimin e tij ka cekur se në këtë manifestim të përurimit të shtatores së heroit Hafir Shala, në Ditën e çlirimit të Drenasit, mungojnë edhe personalitetet e ditëve të para të aksioneve, që padrejtësisht po mbahen në Hagë, ish presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish-krye parlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish deputeti Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë”.
Ja postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:
Sot, në Drenas është përuruar shtatorja e heroit Dr. Hafir Shala, me këtë rast, mbajta këtë fjalim:
E nderuara familje e humanistit dhe heroit Hafir Shala,
I nderuari z. Hoxhaj,
I nderuari z. Miftari,
I nderuari z. Ministër Mehaj,
Shumë i dashur Bekim,
I nderuari Shkëlqesi Ambasador, z. Minxhozi,
Të nderuar Xhavit, Elmi, Ferat, Labinot, Arben, Enver, zv minister,
Të nderuar shokë të burgut të Heroit,
Te nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues e familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalidë të UÇK-së,
Zonja dhe zotërinj,
Sot, nën përkujdesjen e organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkelqësisë së Saj, Znj. Vjosa Osmani dhe Komunës së Drenasit, të financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, po përmbushim një detyrim ndaj humanistit dhe heroit tonë, Hafir Shala.
Ky detyrim i yni, po realizohet në Ditën e Çlirimit të Drenasit, po përjetësohet me shtatore, humanisti dhe mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, themeluesi i Spitalit të parë fushor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dr. Hafir Shala.
I shquar nga koha e veprimtarisë ilegale, ai do të ishte brezi që i takoi të ishte shok burgu me Adem Demaçin e atdhetarët tjerë. Në veçanti, heroi Hafir Shala kishte miqësi me Fehmi Lladrovcin dhe bashkëpunëtorë të tjerë që nga rinia e hershme në Drenas, për të vijuar në burgje dhe pas lirimit për të vazhduar në vijën e përbashkët të frontit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Humanisti Hafir Shala, i brumosur me ndjenjat më të çmuara nacionale, do të bëhej pjesë e pajtimeve të gjaqeve me atdhetarin e jashtëzakonshëm, Profesor Anton Çeta. Doktor Hafir Shala si themelues i “Shoqatës Humanitare Nëna Terezë”, themeloi pikat e para shëndetësore të pavarura në komunën e Drenasit, pas mbylljes së tyre nga okupatori.
Mjek e luftëtar, humanist e atdhetar, në gjirin e popullit të vet, duke ia mjekuar plagët e trupit e shpirtit, ushtarëve të UÇK-së dhe popullit të përjashtuar nga përkujdesja e regjimit kriminal, ky ishte Doktor Hafiri.
Sot, në këtë manifestim të përurimit të shtatores së heroit Hafir Shala, në Ditën e çlirimit të Drenasit, mungojnë edhe personalitetet e ditëve të para të aksioneve, që padrejtësisht po mbahen në Hagë, Ish presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish-krye parlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish deputeti Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë.
Të nderuara zonja e zotërinj,
Unë kam ndjerë dhe ndjej obligim, jo vetëm për shkak të lidhjeve familjare me humanistin dhe heroin Hafir Shala, por edhe si bashkëveprimtar e bashkëluftëtar, kam ngritur shqetësimet e të gjithë neve për fatin e tij.
Edhe para shumë vitesh, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe në përvjetorët e organizuar kushtuar humanistit e heroit Hafir Shala, por edhe si kryetar i Drenasit, kam kërkuar nga Prokuroria speciale të ndriçohet fati i doktorit, humanistit dhe mjekut të UÇK-së.
Neve, të gjallëve, shokëve dhe bashkëluftëtarëve të doktorit të UÇK-së, na mbetet detyrim moral e njerëzor ta ndriçojmë fatin e bashkëluftëtarit dhe bashkëqytetarit tonë të jashtëzakonshëm.
Sot, në këtë manifestim na mungon Baca Isuf e nëna heroinë, Shehidja, të cilët kaluan në amshim me mallin e birit të tyre të çmuar e heroit tonë.
Familja, ashtu sikurse edhe të gjithë ne, kemi lehtësim, sepse sot në vend meritor, në zemrën e qytetit tonë, shtatorja e humanistit dhe heroit Hafir Shala do të mbajë ligjëratën e përjetshme për gjeneratat e tashme dhe të ardhme se si duhet atdheu dhe kombi, se sa e shtrenjtë është liria.
Në Ditën e Çlirimit të komunës tonë, vie i përjetësuar në bronz, humanisti e heroi ynë, Dr. Hafir Shala, për të na kujtuar edhe një herë se liria është më e shtrenjtë se jeta.
Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Hafir Shalës!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
P.S. Kërkojmë falje për lëshimet e paqëllimshme protokollare!