Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, shkruan se Drenica është miqësore me lirinë, teksa ndan disa fotografi gjatë qëndrimit me banorët e komunës që udhëheqë.
Reagimi i tij i dytë vjen pas vizitës që mbrëmë bëri Albin Kurti në Skënderaj, e ku nuk u prit mirë madje u gjuajt edhe me vezë.
Ai thotë se në Drenas kanë ardhur liderë të të gjitha partive politike dhe lirinë nuk mun ta cënojë askush.
Postimi i tij i plotë:
Drenica ishte, është dhe mbetet miqësore me lirinë!
Këtu, në qytetin e Drenasit dhe tërë komunën tonë, kanë ardhur liderë të të gjitha partive, vijnë sot dhe do të vijnë në të ardhmen. Lirinë e vendit tonë, nuk mund ta cenojë askush, as të drejtën për tubim, as të drejtën për organizim e as të drejtat tjera për manifestime politike, të garantuara me Kushtetutë.
Fillimi i luftës propagandistike me fushatë denigruese që vë në spikamë mikpritjen tonë në Drenicë, është gabim. Personalisht i kam ftuar qytetarët disa herë dhe ftoj sërish, të jenë të lirë dhe të votojnë ata që duan, duke toleruar mendimin ndryshe, mirëkuptim për bindjet dhe opinionet e të tjerëve si vlerë themelore e lirisë tonë. Kam ftuar qytetarët të jenë mikpritës, të presin e përcjellin mysafirë, pa dallim partie. Asnjë eksces, nuk i bën nder as komunës tonë as Drenicës.
Këtë mesazh po e ilustroj me një foto, nga vendi ku ka qëndruar në gjysmën e dytë të janarit, njëri nga pretendentët për kryeministër. Gjatë qëndrimit këtu, jo vetëm që ka pasur pritje të mirë, por edhe diskutim e bisedë me qytetarët, por mediat nuk e kanë promovuar se ishte gjithçka në rregull.