Kryetari Lladrovci përgëzon Ambasadorin e Shqipërisë në Slloveni, “Në çdo situatë, jemi një”
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në kuadër të vizitës zyrtare në Slloveni, është takuar edhe me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Slloveni, Sh.T.Z Pëllumb Qazimi, me ç’rast e ka përgëzuar për punën e madhe që ka bërë. Temë e këtij takimi ishte fuqizimi i diasporës dhe intensifikimi i lidhjeve me qytetarët tanë në aspektin kulturor, ekonomik e arsimor.
“Në veçanti diskutuam për solidaritetin e shfaqur të bashkatdhetarëve pas tërmetit në Durrës, nevojën e informimit të bashkatdhetarëve tanë me të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi. E përgëzova Ambasadorin për punën e madhe që ka bërë, duke theksuar se në çdo situatë, jemi një”, ka thënë Kryetari Ramiz Lladrovci.
Ky takim është në vazhdën e takimeve zyrtare që po zhvillon Kryetari Ramiz Lladrovci në Slloveni. Ai gjatë ditës u takua edhe Kryetarin e Komunës Postojna, Igor Marentiç, ku kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes dy komunave.