Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka mbajtur mbledhjen e Shtabit Emergjent së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike, me Policinë e Kosovës, përfaqësues të AME-së dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku temë diskutimi ka qene koordinimi ndërinstitucional për menaxhimin sa më të mirë të kësaj faze emergjente.
Në këtë takim, kryetari Lladrovci ka falënderuar akterët relevantë të Shtabit Emergjent, mjekët, infermierët, Policinë e Kosovës dhe qytetarët për menaxhimin e mirë të kësaj situate dhe ka vlerësuar se nga të gjithë akterët e lartpërmendur janë duke i zbatuar të gjitha masat e marra nga Komuna dhe ato të nivelit qendror, ku falë këtij bashkëpunimi, Drenasi nuk ka ende ansjë rast të konfirmuar me COVID-19.
Para të pranishmëve, kryetari Lladrovci ka paraqitur të gjitha masat e marra deri më tani të Komunës lidhur me tejkalimin e kësaj situate dhe ka përmendur edhe pakot ushqimore-higjienike që i ka ndarë deri me tani komuna për t’i ndihmuar qytetarët të cilët kanë nevojë e po ashtu ka falënderuar edhe dhjetëra donatorë të cilët kanë kontribuar me pako ushqimore-higjienike dhe pajisje të tjera që janë të nevojshme për parandalimin e përhapjes së virusit.
Lladrovci po ashtu ka treguar se Komuna me kohë e ka formuar Shtabin Emergjent, një ditë para konfirmimit të rastit të parë me COVID-19 në Kosovës e po ashtu e ka formuar edhe Qendrën Operative Emergjente Lokale dhe ka numrin pa pagesë 0800 130 50. Ndërsa, ka kërkuar nga të pranishmit e nivelit qendror të adresohet kërkesa në MEPTINIS për të gjitha bizneset që të njoftohen përmes e-mailave për lejen e qarkullimi të tyre, ku ka vlerësuar se është e lehtë komunikimit me ta, pasi që janë në databazën e ATK-së dhe ARBK-së, dhe mund të njoftohen me vetëm një klik kompanitë e ndryshme për lejen e qarkullimit të tyre. Kryetari Lladrovci ka treguar se Komuna është duke i kryer të gjitha këto shërbime për të gjitha bizneset me qëllim që të mos kenë probleme në marrjen e informatave, ndonëse këto janë obligime të MEPTINIS-it.
Kryetari Lladrovci ka ngritur edhe shqetësimin rreth orarit të ri të kufizimit të lëvizjes nga Ministria e Shëndetësisë, për personat e moshës mbi 65 vjeçare. Lladrovci ka treguar se ka pranuar disa shqetësime dhe ankesa nga qytetarët e kësaj moshe që jetojnë vetëm, dhe nuk kanë mundësi të dalin e të furnizohen me gjëra të nevojshme ushqimore e higjienike, prandaj ka vlerësuar se kjo masë ndaj kësaj kategorie duhet ndryshuar.
Përfaqësuesit e MPBAP, AME-së, FSK-së dhe Policisë së Kosovës, kanë vlerësuar angazhimin dhe punën e Shtabit Emergjent të Komunës së Drenasit për tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.