Llapi i vendosur ta eliminojë Prishtinën

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Te Llapi e kanë quajtur ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni atë me skuadrën e Prishtinës. Llapi të mërkurën e pret Prishtinën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Llapi është 90 minuta larg finales që po e kërkon me çdo kusht trajneri Tahir Batatina.

Në ndeshjen e parë, të luajtur para dy javësh në Prishtinë, skuadra e Llapit ka shënuar fitore me rezultat të ngushtë, 3:2. Batatina të martën për KOHËN ka thënë se për skuadrën e Llapit është shumë e rëndësishme të kualifikohet në finale dhe për këtë arsye ka paralajmëruar futbollistët e tij që të tregohen maksimalisht të kujdesshëm në ndeshjen e kthimit. Ai ka insistuar se Llapi është i përgatitur maksimalisht dhe i gatshëm për ta mbrojtur rezultatin me Prishtinën. Batatina e di se mënyra e vetme për dalje në Evropë është triumfi në këtë garë. Prishtina është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës.

“Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit për ne pasi dallon prej finales. Jemi një hap larg finales dhe daljes në Evropë, që edhe është synimi i klubit tashmë një periudhë të gjatë. Nuk është me rëndësi nëse do ta mbrojmë rezultatin e ndeshjes së parë apo do të kërkojmë fitore, por e rëndësishme është që të kualifikohemi në finale. Jemi përgatitur mirë dhe jemi të gatshëm për të dëshmuar vlerat tona si ekip”, ka thënë trajneri i Llapit, Batatina.

“Futbollistët janë mjaft të motivuar dhe pres prej tyre angazhim maksimal pasi jemi vetëm një hap larg finales. E kemi rezultatin në dorë prej duelit të parë dhe nuk duhet ta lëshojmë nga dora. Është mundësia e vetme për dalje në Evropë”.

Në rast se kalon në finale, për Llapin kjo do të ishte hera e dytë. Herën e parë Llapi pati arritur në finale të Kupës së Kosovës në edicionin 2016/17, por qe mposhtur nga Besa pas penalltive. Megjithatë, trajneri Batatina ka thënë se Prishtina do të jetë kundërshtare e rrezikshme dhe se në Podujevë do të udhëtojë për ta përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë. Ai ka shtuar se Llapi do të jetë i kompletuar për këtë përballje që ka shumë vlerë për ekipin e tij.

“Duhet të tregohemi maksimalisht të kujdesshëm, sepse Prishtina është një kundërshtare e fortë dhe tejet e papërshtatshme, por besoj në ekipin tim. Prishtina do të kërkojë ta përmbysë rezultatin dhe për këtë jemi të gatshëm. Do t’i qasemi ndeshjes me një disiplinë dhe me synimin për ta siguruar finalen”.

Edhe te Prishtina kanë paralajmëruar se në fushë ndaj Llapit nuk do të dalin me “flamur të bardhë”. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi, ka thënë se ende asgjë nuk ka përfunduar dhe se Prishtina do të synojë që në ndeshjen e kthimit ta sigurojë finalen. Megjithatë Krasniqi ka pranuar se nuk do të jetë lehtë. Ka shtuar se Llapi si vendas është ekip shumë i fortë. Pas ndeshjes me Llapin në Kupë, Prishtinën e pret menjëherë në fundjavë dueli me kampionen në fuqi, Dritën, në Gjilan, në kuadër të Superligës së Kosovës.

“Duhet të jemi realistë, që është shumë vështirë, sepse kemi pranuar shumë gola në ndeshjen e parë si vendas. Mirëpo jemi të gatshëm për ndeshjen e kthimit. Do të shkojmë për të dhënë më të mirën nga vetja dhe do të synojmë kualifikimin në finale, pavarësisht rezultatit nga ndeshja e parë. Po ashtu e kemi parasysh se edhe në kampionat në fundjavë na pret një ndeshje e vështirë me Dritën dhe duhet të jemi të kujdesshëm që mos të kemi ndonjë lëndim apo lodhje. E them këtë për shkak se ndeshja me Dritën është ndoshta edhe ndeshja e këtij sezoni”, është shprehur Krasniqi. “Megjithatë, as ndaj Llapit nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi por do të kërkojmë fitoren dhe kualifikimin në finale pasi Prishtina lufton për të gjithë trofetë e mundshëm”.

Skuadra që avancon tutje në finale do të përballet me Dukagjinin, ekip që bën gara në Ligën e Parë dhe është lider i Grupit A. Dukagjini ka kohë që e ka konfirmuar kualifikimin në finale pasi kundërshtari i tij, Istogu, është diskualifikuar nga garat e Kupës pas ndeshjes së parë për shkak se kishte inkuadruar në lojë një futbollist që nuk ka pasur të drejtën të luajë në atë duel. Finalja e Kupës së Kosovës do të zhvillohet muajin e ardhshëm në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme