Llapi ka rastin që për herë të parë këtë edicion të shkëputet i vetëm në krye të klasifikimit të Ipko Superligës së Kosovës në futboll. Në krye mund të mos qëndrojë gjatë i vetëm, por te Llapi janë të përkushtuar që të kryejnë punën e tyre, pa u marrë shumë me skuadrat e tjera.
Llapi e pret Ferizajn të shtunën (sot, 14:30) në ndeshjen e parë të xhiros së nëntë të Superligës. Ndeshja luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërsa është e vetmja që luhet të shtunën, shkruan sot Koha Ditore.
Të dielën nuk ka ndeshje për shkak të zgjedhjeve nacionale, ndërsa ndeshjet e tjera janë të hënën e të martën. Llapi i Tahir Batatinës aktualisht është i dyti me 17 pikë, sa i ka edhe Drita në vend të parë dhe Ballkani në vend të tretë. Të dy këto skuadra kanë punë të vështirë në xhiron e nëntë, ndërkohë që llapjanët vlerësohen favoritë të mëdhenj ndaj Ferizajt në krizë.
Por trajneri Batatina e merr me shumë seriozitet ndeshjen ndaj Ferizajt, që është i dhjeti me 6 pikë.