Ish-Ministri shqiptar i Drejtësisë në Maqedoni të Veriut, nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Krenar Lloga, ka falënderuar publikisht Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për, siç ka thënë ai, kontributin në “deshqiptarizimin” e institucioneve në RMV.
Këto komente, Lloga i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që është raportuar se Presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova, ka emëruar vetëm maqedonas në krye të Agjencisë për Zbulim.
Prandaj, Lloga ka “uruar” koalicion “VLEN”, i cili është pjesë e qeverisë së udhëhequr nga lideri nacionalist i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, dhe Kurtin, i cili i dha mbështetje të parezervë “VLEN”-it në zgjedhjet e 8 majit.
“1. Gabriela Jakovleva është drejtoresha e re e Agjencisë së Inteligjencës. 2. Ivana Stojanovska është zëvendësdrejtoresha e re e Agjencisë së Inteligjencës”, bëri me dije ish-ministri.
“Urime vLEN-it dhe falënderim publik Albin Kurtit që japin kontribut maksimal në DEshqiptarizimin e institucioneve në RMV”, përfundoi ai.
Ndryshe, të dielën e 23 qershorit, Maqedonia e Veriut ka zgjedhur qeverinë e re të saj, më në krye Hristjan Mickoski-n.
Përfaqësues të shqiptarëve në këtë qeveri janë koalicioni “VLEN”, i cili humbi zgjedhjet në taborin shqiptar më 8 maj, ndaj “Frontit Evropian”.
“VLEN” kishte mbështetjen e parezervë të kryeministrit Kurti, madje në listat e tyre kishte kandidatë për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, siç është Bekim Qoku, i cili ka fituar mandatin e deputetit, transmeton albanianpost.
Shqiptarët në këtë qeveri kanë numrin më të vogël në histori të dikastereve qeveritare, vetëm 6, nga 23 sa janë gjithsejtë.