Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur sot ka mbajtur takim të rregullt, për të biseduar për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Anëtari i këtij komisioni si dhe këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka, tha se është me rëndësi që në agjendën e dialogut Kosovë –Serbi, si prioritet po vihet çështja e personave të pagjetur, raporton Ekonomia Online.
“Qeveria e Kosovës po punon dhe është e interesuar që ta zgjedhë çështjen e zbardhjes së fatit në shtetin tonë. Për këtë arsye dhe në pjesën e dialogut çështja e personave të zhdukur ka hyrë si prioritet. Kosovën e mundojnë shumë tema, mirëpo duhet të dihet që zhvillimi ekonomik është shumë i rëndësishëm për qëndresën e njerëzve tonë, pasi që nëse nuk kemi zhvillim ekonomik atëherë njerëzit do të ikin, sikur që po ikin edhe tash nga shëndetësia e sektorët e tjera”, tha Lluka.
Lluka tha se zgjidhja e këtij problemi për 70% nuk do të thotë se është bërë një punë e mirë në këtë drejtim për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Duhet të themi hapur se çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve është një çështje e ndjeshme që kërkon shumë angazhim dhe kujdes të veçantë ndaj familjarëve pasi që ata janë të prekur dhe çdo aktivitet apo punë e jona nuk merret sikur kemi bërë një punë të rëndësishme deri sa të ia gjejmë të afërmin e tyre, dhe zgjidhja e 70% të rasteve nuk do të thotë asgjë për familjarët”, tha Lluka, raporton EO.
Lluka tha se pasi që buxheti për këtë vit është rritë për 12%, atëherë një pjesë do të ndahet edhe rreth çështjes së zbardhjes së fatit për personat e pagjetur.
“Duhet me pas parasysh sepse Kosova ka edhe probleme tjera, por për asnjë moment Qeveria e Kosovës nuk e ka lënë këtë plagë të rëndë anash, do jemi pranë familjarëve çdo moment, këtë vit kemi ndihmu dhe do ta bëjmë këtë edhe në vitin e ardhshëm pasi që ka rritje të buxhetit për 12% dhe do kemi mundësi që të ndihmojmë më tepër”, tha Lluka.
Gjatë këtij viti u deklarua se janë regjistruar vetëm dy raste të reja të personave të pagjetur me kërkesë të familjarëve, ndërkaq janë bërë gërmime në 14 lokacione në Kosovë.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se nga këto lokacione vetëm dy prej tyre kanë rezultuar me mbetje mortore.
“Nga 14 lokacionet e proceduara, dy lokacione kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore të të paktën gjashtë personave, megjithatë, vetëm pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore, përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së, mund të konfirmohet numri i personave të zhvarrosur”, ka thënë Gara.
Njëherësh, ai tregoi se këtë vit, u janë dërguar për rivarrim mbetjet mortore të 45 rasteve të personave të pagjetur.
Po ashtu, Gara tha se gjatë këtij viti është rritur buxheti për përkrahjen e familjeve të të pagjeturve nga 250 euro në 400.
Ndërsa, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjeta, tha se Komisioni është i hapur për bashkëpunim dhe sugjerime për zbardhjen e këtyre rasteve.