Lluka: Gjatë mandatit tonë, ka pasur 4.2 % rritje ekonomike

Prishtinë | 27 Sht 2019 | 02:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, kandidat për deputet nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Valdrin Lluka, ka thënë se gjatë mandatit të tij si ministër i Zhvillimit Ekonomik Kosova ka shënuar rritje ekonomike për 4.2 për qind.

“Kosova ka vazhduar ta ketë një rritje mjaft të qëndrueshme rreth 4,2 %, që ka qenë mesatarja e rritjes jo vetëm për këto dy vjet, por për 6-7 vjetët e fundit. I njëjti trend i rritjes ka vazhduar edhe këto dy vjetët e fundit”, ka thënë Lluka në një intervistë për gazetën “Zëri”.

“Normalisht që sfidat kanë mbetur, sepse sfida ka pasur edhe në ekonominë e Bashkimit Evropian, ka pasur një ngadalësim të përgjithshëm dhe ne varemi shumë nga tregu i BE-së, që është tregu ynë kryesor për eksportin e produkteve vendore. Është me rëndësi që me vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe kemi pasur një rritje të prodhimit te sektori privat, sidomos në kompanitë prodhuese vendore, të cilat shumica prej tyre kanë raportuar për rritje të biznesit nga 30 e deri në dyfishim të prodhimit”.

“Kemi pasur një ndikim mjaft të mirë sa i përket zëvendësimit të importit dhe rritjes së prodhimit për konsum të brendshëm, sepse nëse flasim për Bruto Produktin Vendor të një shteti ajo ndikohet pozitivisht nga konsumi i brendshëm, ndikon pozitivisht eksporti nëse rritet dhe ndikon negativisht nëse rritet importi. E nëse zëvendësohet një produkt me produkt vendor, atëherë kjo do të thotë që ka efekt të shumanshëm në rritjen e Bruto Produktit Vendor”, ka thënë Lluka.

Të ngjashme