Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë të ditur se kjo ministri është në proces të krijimit të qendrave kreative në të gjitha shkollat e mesme në Kosovë dhe më vonë edhe në shkollat fillore.
“Një projekt i tillë synon të rrisë kreativitetin tek fëmijët dhe të rinjtë e vendit”.
Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ku njoftoi se Ministria e Zhvillimit Ekonomik po financon edhe zhvillimin e TechParkut, “hapësirë rreth 5000 m2 për bizneset fillestare, ekzistuese dhe qendra hulumtuese”, ka shkruar Lluka.
Ndërsa ka shkruar se projekti Kosovo Digital Economy, që realizohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe financohet nga Banka Botërore, siguron që ide të tilla si ato që zhvillohen në Innovation Centre Kosovo, si prodhimi i printerëve 3D nga Formon, platforma për menaxhimin e transporteve hekurudhore, platforma per tregti online nga Peshes.com, platforma për të bërë qasje më të lehtë në artikuj të famshëm të përkthyer në gjuhën shqipe, aplikacione për shtëpi të mençura dhe shumë e shumë ide, përkrahen jo vetëm në Prishtinë, por në çdo cep të Kosovës.
“Pjesa më e mirë e punës është ajo kur viziton projekte të suksesshme që prekin rininë super të talentuar dhe kreative, duke zhvilluar ide që na bëjnë jetën me të mirë”.
“Faleminderit Uranikut dhe Shpendit për punën, kohën dhe mikpritjen”.