Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes së sotme për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kompaninë “Contour Global” sjell benefite edhe për ekonominë e Kosovës.
Lluka tha se me këtë projekt parashikimet për rritjen e Bruto Prodhimit Vendor (GDP) do të kalojnë 5 – 6 për qind, raporton Ekonomia Online.
Ai i bëri komentet në një konferencë të përbashkët me Joseph Brandt, drejtor Ekzekutiv i “Contour Global”, pas nënshkrimit të kontratës.
“Kur kemi investitor të huaj kjo është edhe një referencë për investitorët e tjerë”, tha Lluka, raporton Ekonomia Online.
“Një marrëveshje e cila është diskutuar nga shumë ekspertë, e shumë qeveri, më në fund sot u finalizua. Jam shumë i gëzuar me këtë fakt”.
“Për t’u finalizuar një marrëveshje, ajo kërkon pajtueshmërinë e dy palëve dhe në këtë rast e kemi finalizuar këtë projekt që besoj është në të mirë të dy palëve”.
“Me fillimin e këtij projekti do ta mbyllim ‘Kosovën A’. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e ajrit”, ka shpjeguar kreu i MZhE-së.
Më tutje, Lluka tha se është i kënaqur me marrëveshjen që është arritur. “Shumë shpejt kontratën do ta bëjmë publike. Do ta thyejmë një tabu të të punuarit në mënyrë të fshehtë”.
Ai tregoi se ndërtimi i termocentralit të ri pritet të fillojë në fund të vitit të vitit 2018 ose në fillim të vitit 2019.
Në fazën e dytë, pas nënshkrimit të Marrëveshjeve Komerciale, ContourGlobal do të shpallë një proces ndërkombëtar të prokurimit për të përzgjedhur kompaninë e cila do të ndërtojë impiantin e termocentralit “Kosova e Re”. Bëhet e ditur se deri më sot, interesim kanë shfaqur kompani me shtrirje globale si General Electric, Mitsubishi Hitachi, Siemens, Doosan, etj.
TC “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20-vjeçare dhe pa asnjë kosto. Jetëgjatësia e termocentralit është llogaritur 40 vjet, periudhë e mjaftueshme tranzitore drejt sigurimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Joseph Brandt, drejtor Ekzekutiv i “Contour Global”, kompania e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, tha se nuk sheh ndonjë vështirësi të parashikueshme për planifikimin e projektit. “Nuk e shoh kapitalin si një problem. Kemi shumë interesim për këtë projekt, kështu që nuk shoh që kapitali të jetë një gjë problematike”.
Ai theksoi se teknologjia që do të përdoret është dëshmuar nëpër termocentrale në botë dhe është në përputhje me legjislacionin. “Ky është një rast unik kur do të kemi një zvogëlim përmbajtjesor të emetimit të gazrave. Kjo është teknologjia e duhur për këtë projekt”, u shpreh Brandt.
Qeveria e Republikës së Kosovës sot nënshkroi Marrëveshjet Komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Investimi prej 1.3 miliard euro do të jetësojë njësinë e re prej 500 megavatesh brenda një periudhe katërvjeçare.
“Contour Global” do të sigurojë kapitalin (30% të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë.
Qeveria e Kosovës thekson se ndërtimi i këtij termocentrali i jep pavarësi energjetike Kosovës dhe do ta zvogëlojë varësinë nga çmimi i paparashikueshëm të energjisë në tregun rajonal.
Krahas sigurisë në furnizim me energji, misioni i njësisë së re do të zëvendësojë dhe njësitë e vjetra prodhuese të TC “Kosova A”.
Termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet në përputhje me standardet mjedisore të Direktivave të Bashkimit Evropian. Me teknologji të re super-kritike, njësia do të ketë efiçencën neto më të madhe se 40.0% duke përdorur sistemet më të fundit të djegies së brendshme dhe të kontrollit të cilësisë së ajrit. Kjo nënkupton konsum më të vogël të linjitit dhe rrjedhimisht emetim më të ulët. Masat e tjera që do të merren gjatë këtij procesi për të vënë nën kontroll ndotjen përfshijnë mbylljen e TC “Kosova A” dhe rehabilitimin e TC “Kosova B”.