Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka filluar një vizitë treditore në Korenë Jugore dhe Japoni, ku ka për qëllim kryesorë përkrahjen e projektit të Termocentralit “Kosova e Re”, si dhe bashkëpunimin në mes të vendeve në fushën e menaxhimit të ujërave dhe mbeturinave.
Lluka i shoqëruar nga konsulli i nderit të Kosovës në Korenë Jugore, James Chung, gjatë vizitës në Kore, u prit nga presidenti dhe kryeshefi i ndërmarrjes publike energjetike të Koresë Perëndimore, Kim Byung Sook, me të cilin u shkëmbyen planet për të ardhmen e sektorit energjetik. sipas njoftimit, Lluka e informoj Sook për strategjinë 10 vjeçare të energjisë që u aprovua në Kuvendin e Kosovës në fillim të këtij viti, dhe ku parashihet zgjerimi i kapaciteteve energjetike për herë të parë pas 40 viteve.
Po ashtu, pas takimit, Lluka vizitoi një ndër komplekset më të mëdha të termocentraleve në Korenë Jugore të menaxhuar nga kjo ndërmarrje. Ky kompleks, i cili përbëhej nga 10 termocentrale, me rreth 6500 MW kapacitete të instaluara, kishte teknologji të avancuar që i plotësonin të gjitha kriteret e mundura të emisioneve të lejuara, duke dëshmuar që edhe termocentrali që do të ndërtohet në Kosovë, nuk do të jetë ndotës për ambientin tonë.
Gjatë vizitës në Kore, Ministri Lluka gjithashtu u prit nga Presidenti i Agjencisë Shtetërore të Mjedisit, Jang Joon Yeong, Agjencia e Mjedisit të Koresë Jugore është një agjenci përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave, ujërave, cilësisë së ajrit, dhe gjenerimit të energjisë nga mbeturinat. Qëllimi i takimit ishte përkrahja institucionale në menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, me fokus në kthimin e mbeturinave në energji të ripërtritshme, pa ndotje. Kryeqyteti i Koresë Jugore, Seuli, ka mbi 25 milionë banorë dhe ka një densitet jashtëzakonisht të madh të popullatës. Për të menaxhuar mbeturinat e një popullate kaq të madhe, me një territor të vogël, është kërkuar menaxhim i përsosur i mbeturinave, prandaj edhe Koreja ka ekspertizën e duhur që ti përgjigjet kërkesave tona.
Presidenti i Agjencisë ka premtuar përkrahje përmes granteve në tre fusha: 1. Menaxhimin e mbeturinave, 2. Monitorimin e cilësisë së ajrit dhe 3. Studimin e fizibilitetit dhe mbikqyrjen e punimeve për rezervuarët e ujit që rrisin sigurinë e qytetarëve të Kosovës për furnizim me ujë të pijes. Për më tepër, Yeong ka shprehur gatishmërinë të jap mbështetje edhe për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në komuna të vogla, përmes kredive të buta në kombinim me grante.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Koresë Jugore, janë në prag të krijimit të marrëdhënieve diplomatike, që është e një rëndësie të madhe për vendin, konsideruar që ekonomia koreane është një super ekonomi botërore, me një bruto produkt vendor prej rreth 35,000 dollarë për kokë banori.
Ndryshe, Ministri Lluka nesër do të gjendet në Japoni ku do të pritet nga Ministri Shtetëror për Ekonomi, Yoshihiro Seki dhe nga përfaqësues të lartë të bankës japoneze ndërkombëtare për bashkëpunim.