Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, vizitoi sot fabrikën për prodhimin e paneleve diellore “Jaha Solar” në Fushë-Kosovë, me ç’rast u zotua se do të shikojnë mundësitë që të gjitha prodhimet që kanë të bëjnë me efiçiencë të energjisë të kenë përparësi karshi importit.
Gjatë vizitës në këtë fabrikë investim gjerman-kosovar, Lluka shoqërohej dhe nga kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani, i cili tha se qeveria e re duket se ka marrë përsipër të kthejë vëmendjen nga prodhimit vendës.
“Sot erdhëm për në vizitë në fabrikën ‘Jaha Solar’, që është një shembull në të mirë të vendit tonë, një investim gjerman-kosovar që deri më tani ka arritur vlerën deri në 8.5 milionë euro, me mbi 80 punëtorë, me një potencial jashtëzakonisht të madh që të kemi punësim shumë më të madh dhe të ketë ndikim pozitiv në industritë e tjera”, tha Lluka, gjatë vizitës, raporton Ekonomia Online.
“Moti nuk jam ndier më krenar për një prodhim vendor si këto panele solare që i kemi parë sot. I dëshiroj pronarit dhe punëtorëve një punë të suksesshme. Jam i fascinuar me këtë prodhim. Ne si Qeveri, si Ministri e Zhvillimit Ekonomik, do të zotohem se do të bëjmë të pamundurën që të gjitha prodhimet që kanë të bëjnë me energji me efiçiencë të energjisë, me panele solare, që të sigurohemi që panele solare të kenë përkrahje karshi importit”, tha Lluka.
Ai tregoi se MZhE ka një projekt me Ministrinë e Bujqësisë, që e ka komponentën e efiçiencës së energjisë. “Dhe personalisht, së bashku me ekipin, këtu do të sigurohemi që ta fusim një ndër kriteret kryesore që produktet kosovare të përkrahen karshi produkteve të importuara”.
Kreu i MZhE-së theksoi se aktualisht panelet solare nuk kanë asnjë masë mbrojtëse nga importi, si psh nga Kina, nga kushdo mund ta konkurrojë prodhimit vendës. “Duhet t’i jepet përparësi prodhuesit vendës, sepse nuk është vetëm investimi si investim që ka ndodhur. Transferimi i njohurisë për prodhimin e këtyre paneleve është vlera më e madhe që mund të ketë një vend. Tash këtu kemi të gjithë punëtorët janë shqiptar nga Kosova të cilët e kanë njohurinë dhe këta faktikisht kanë potencial të zhvillojnë edhe më tutje investimin në fjalë dhe kjo prandaj duhet të përkrahet pa asnjë kursim nga ana jonë”, u shpreh Lluka.
Pronari i Jaha Solar, Fadil Hoxha tha se është jashtëzakonisht i lumtur se nga Qeveria aktuale kanë gjetur një përkrahje si kurrë më parë dhe shpreson që me këtë qasje do t’i mënjanojnë të gjitha sfidat që u dalin para.
“Unë ju garantoj që këtu çka po del si produkt është premium i klasit më të lartë në gjithë Evropën jo vetëm në Kosovë”, tha ai.
Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani, e ka falënderuar ministrin Lluka për interesimin që po tregon për prodhuesit vendës. “Po shohim nga kjo qeveri që ka marrë rolin vendimtar që ta kthejë vëmendjen nga prodhimit vendor”.
“Për neve nuk është befasi kjo që po shoh te ‘Grupi Jaha’ se prodhuesit kosovarë janë të këtij niveli që po e shihni. Nga ky vend përcillet mesazh te qytetarët e Kosovës që t’i përkrahin prodhimet vendore, sepse nuk kanë përse të mos i përkrahin, kur është një kualitet shumë i mirë dhe çmim i përshtatshëm”, u shpreh Shabani.