Pak javë para publikimit të raportit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, një delegacion i Kuvendit të Kosovës i kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli do ta nisë turneun e lobimit në qendrat vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, duke kërkuar heqjen e vizave.
Megjithatë, njohës të integrimeve thonë se liberalizimi i vizave është më shumë çështje teknike dhe se Bashkimi Evropian kërkon plotësim të kritereve, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i shoqëruar nga deputetë të partive në pushtet dhe nga deputetë në opozitë, gjatë kësaj jave do të udhëtojë për vizitë zyrtare në disa nga vendet e Bashkimit Evropian në kuadër të lobimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ministrja e Integrimit Evropian ka thënë se lobimi është i domosdoshëm tani në kohën kur Kosova është në pritje të marrjes së rekomandimit të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave, shkruan më tutje “Zëri”.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se lobimi në këtë kohë është i vonuar dhe se tashmë Kosova do të duhej ta kishte listën e shteteve që e mbështesin heqjen e vizave dhe të atyre që janë kundër.
Deputetët po ashtu thonë se ende nuk janë informuar nga kryetari i Kuvendit në lidhje me këtë turne të lobimit.
Ndërsa njohës të proceseve integruese shprehen të bindur se Komisioni Evropian do të dalë me rekomandim pozitiv për Kosovën..