Futbollistët e rinj të Gjermanisë bënë mjaft brenda një ore kundër Argjentinës për të treguar se rindërtimi i ekipit pas tronditjes në botërorin “Rusia 2018” po shkon mirë dhe se këtë skuadër e pret e ardhme e ndritur.
E udhëhequr nga 24-vjeçari Serge Gnarby në sulm dhe 20-vjeçari Kai Havertz në mesfushë, Gjermania pjesëlojën e parë e mbylli me epërsi prej dy golave të mërkurën mbrëma në miqësoren me Argjentinën, përpara se Lucas Alario e Lucas Ocampos të barazonin shifrat në 2:2, shkruan sot Koha Ditore.
Seleksionuesi i Gjermanisë, Joachim Loew, në këtë ndeshje është siguruar se Gjermania tash e tutje mund të mbështetet te futbollistët e rinj që u treguan shumë të pjekur përballë një kundërshtareje të fortë dhe me përvojë.
“Kam marrë shumë gjëra pozitive nga barazimi me Argjentinën dhe më duhet t’i përgëzoj lojtarët që luajtën me kurajë. Këto janë shenja shumë, shumë premtuese për të ardhmen. Mua më pëlqeu shumë paraqitja e lojtarëve të rinj që do të thotë se rindërtimi i ekipit po shkon ashtu siç duhet”, ka insistuar Loew.
Për Gjermaninë kjo ishte ndeshja e parë që në përbërje nuk e pati asnjë lojtar që ka fituar titullin e botës në vitin 2014. Loew ka kohë që ka paralajmëruar ndryshime të mëdha pas debaklit në botërorin e vitit të shkuar, duke detyruar “veteranët” si Sami Khedira, Jerome Boateng, Thomas Mueller e Mats Hummels të tërhiqen nga përfaqësuesja.