Federata e Futbollit të Kosovës, ditë më parë ka prezantuar logon dhe fanellat e reja të Kombëtares së Kosovës, për ciklin e ri kualifikues “Katari 2022”.
Kjo nga mediumet serbe po cilësohet si skandaloze. Edhe kësaj radhe ka pasur reagime nga to të cilat kërkojnë një reagim edhe nga FIFA-s dhe UEFA-s, transmeton KlanKosova.tv.
Sipas gazetës serbe “Kurir” Kosova me publikimin logos së re, është duke provuar të falsifikojë historinë, pasi në logo është paraqitur edhe një “rrotë”, e cila në fakt është simbol i diellit, që është marrë nga flamuri Dardan (dielli Dardan simbolizon një fillim të ri, ngritje me mundësi të reja, me shenja trimërie).
Sipas mediumit serb, simboli i përdorur në logo ndodhet në vendin arkeologjik të Ulpianës, vend i cili ndodhet afër Graçanicës, duke aluduar kështu se ajo u takon atyre.
Pavarësisht këtyre shkrimeve, kuptimi i vërtetë i logos ashtu siç është shpjeguar është ky:
“Në të janë të paraqitura gjashtë yjet e flamurit të Kosovës, një rrotë, e cila në fakt është simbol i diellit, që është marrë nga Flamuri Dardan (dielli Dardan simbolizon një fillim të ri, ngritje me mundësi të reja, me shenja trimërie). Dhe gjithashtu është i paraqitur edhe një top, i cili nënkupton se dy forca të reja do të bashkohet si mburojë e zemrës së Kosovës”.