Gjatë dekadës së fundit, tregu i gamingut ka pasur një rritje të jashtëzakonshme, por sezoni i festave është zakonisht një periudhë kur vërehen shitje të konsiderueshme lojërash. Këtë muaj kompania SuperData e publikoi analizën globale të tregut të lojërave digjitale, raporton KitGuru.
Në përgjithësi, rreth 9.5 miliardë dollarë u shpenzuan për përmbajtjen gaming në pajisjet PC, konzola dhe pajisjet mobile gjatë nëntorit. Kjo paraqet një rritje prej 5% krahasuar me nëntorin 2018. Lojërat mobile morën më së shumti pjesë në realizimin e fitimeve të lartpërmendura, me gjithsej 59 për qind.
League of Legends është loja që fitoi më së shumti kur bëhet fjalë për lojërat në PC, ndërsa pasojnë Dungeon Fighter Online, Crossfire, Fantasy Westward Journey Online II, World of Warcraft, Star Wars Jedi: Fallen Order, Call of Duty: Modern Warfare, World of Tanks, Roblox dhe Counter-Strike: Global Offensive, shkruan KOHA Ditore.
Kur bëhet fjalë për konzolat, në listën e 10 lojërave më të shitura në muajin nëntor përfshihen: Pokemon Sword and Shield, Call of Duty: Modern Warfare, Star Wars Jedi: Fallen Order, FIFA 20, NBA 2K20, Death Stranding, GTA V, Fortnite, Madden NFL 20 dhe Luigi’s Mansion 3.
Një lojë që veçohet është Star Wars Jedi: Fallen Order, e cila gjendet në listën Top 10 të bestsellerëve si për PC ashtu edhe për konzola. Sipas kompanisë SuperData, kjo lojë për nga shitjet e tejkaloi Battlefront II dhe gjatë nëntorit është shitur në 2.14 milionë kopje digjitale. Nga ana tjetër, Red Dead Redemption 2 nga Rockstari gjatë nëntorit zhgënjeu duke u shitur vetëm në 408.000 kopje.