Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm. Kjo po dëshmohet sidomos javëve të fundit me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra të dyshuarve gjithandej vendit.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në fshatin Sllovi të Lipjanit, ku nëntë persona janë kapur në flagrancë nga Policia duke zhvilluar lojëra fati.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë kapur në një kioskë, pak para mesnatës, pasi Policia mori informacionin për veprimtari të kundërligjshme.
Pajisjet e gjetura në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të iniciohet rasti për veprën “Organizim i Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm”.