Marrëdhëniet e kryeministrit Kurti me dy negociatorët e BE-së, J.Borrel dhe M.Lajcak, dje ishin në pikën më të ultë të mundshme. I pari i akuzoi këta të fundit për “tradhti” ndaj vetë parimeve që i kishin proklamuar.
Kurse të dytët e shpallën fajtore Kosovën për dështimin e marrëveshjes për targat. Diçka që s’ka mundur të imagjinohet kohë më parë, kur i njëjti e mbronte punën e tyre. Sepse, shprehej kritik për politikat “interevcioniste” amerikane në Kosovë, që sipas tij po i pengonin përpjekjet evropiane për paqe, stabilitet dhe një marrëveshje të mundshme me Serbinë.
Madje supozonte se politika të tilla, mund ta bllokojnë procesin integrues të Kosovës drejt BE-së. Por a nuk është pikërisht kjo mënyrë e vlerësimit të proceseve politike dëshmi se pikërisht tensionet e djeshme janë edhe pasojë e faktit se si Kurti në vazhdimësi e ka keqlexuar peshën gjeopolitike të të dyja vendeve dhe raportet ndërmjet tyre.
Këto konsiderata të Kurtit për rolin si të Uashingtonit ashtu dhe të Brukselit mund të jenë të motivuara sa nga konsideratat e tij ideologjike ashtu edhe nga kalkulimet e brendshme politike. Pra ka gjasa që Kurti ende vazhdon të besojë se misioni i BE-së mbetet ai i rezistencës ndaj hegjemonisë amerikane dhe sistemit doktrinës neoliberale ekonomike që ajo sipas tij e përfaqëson, si dhe ekstremit tjetër të mishëruar nga autoritarizmi kapitalist kinez. Dhe në këtë rast në duhet të jemi pjesë e kësaj rezistence. Prandaj, në këtë përçarje të mundshme transatlantike, sforcimi i lidhjeve me BE-në dhe vendet e veçanta të saj, duhet të jetë prioritet primar i Kosovës përballë raporteve me Amerikën, ngase siç preferonte dikur të thoshte “ne nuk jemi Meksika”. Madje, mund të spekulohet se në këtë mënyrë ai dëshironte t’i tregonte Uashingtonit se krejt çka i nevojitet të bëjë, është t’i qëndroj konsekuent doktrinës gjeopolitike Monre, ku ky shtet duhet të përkujdeset vetëm për kontinentin amerikan.
Po ashtu, shpresa Kurtit për të përfituar nga këto përçarje eventuale lidhej edhe me supozimet e tij, se ish-presidenti Hashim Thaçi, gëzonte mbështetje amerikane, prandaj këtij i duheshin evropianët për ta minuar rolin e tij të brendshëm politik.
Mirëpo, ky vlerësim i situatës dëshmon më mirë se asgjë tjetër për iluzionet ideologjike të Kurtit në perceptimin realiteteve gjeostrategjike. Madje, mund të merret si shembull se Kurti edhe ata teoricienë në botën e mendimit politik shqiptar, që thotë se i ka lexuar, tregon se ose nuk i ka lexuar, ose i ka lexuar dhe nuk i ka kuptuar, ose vetëm manipulon me ta për efekte ditore politike. Ngase siç ka pohuar Arbren Xhaferi, megjithatë për SHBA-të shumë më më shumë e rëndësishme është Gjermania dhe Franca, se sa Kosova. Prandaj Amerika dhe shtetet e Bashkimit Evropian mund të kenë tensione, mosmarrëveshje dhe mospajtime ndërmjet vete, por në asnjë rast nuk mund që Kosova të shndërrohet në arsyeje madhore që ato t’i rrezikojnë aleancat e tyre, të cilat i kanë ndërtuar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, e të cilat janë treguar jetike për ruajtjen e paqes në kontinent.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë interes primar stabilitetin e Evropës. Prandaj fillimisht u angazhuan në dy luftëra botërore, po ashtu gjatë Luftës së Ftohtë për ta penguar rënien e saj fillimisht nën hegjemoninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pastaj nën hegjemoninë sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë. Falë kësaj angazhimi të përbashkët këto dy entitete ia dolën që t’i mundin këta dy armiq ideologjikë të demokracisë liberale, si dhe të garantohet siguria evropiane.
Po ashtu, Ukshin Hoti, në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, pohon se motivet praktike amerikane të Luftës në Gji kundër diktatorit të Irakut Sadam Hysein, pasi e pushtoi Kuvajtin, në vitin në vitin 1991, ishin të lidhura me mbrojtjen evropiane. Sepse “vënia nën kontrollin e një lideri (diktatori) apo të më shumë liderëve (diktatorëve) të burimeve të naftës arabe, me të cilët do të detyroheshin të bënin pazar (kompromis) mbi shfrytëzimin dhe mbi çmimin e naftës, do ta rrezikonte industrinë, standardin dhe proceset integrative evropiane”, diçka që SHBA-të nuk mund ta lejonin të ndodhte. Kurse ky fakt “nuk vlen për amerikanët sepse ata i kanë burimet dhe rezervat e naftës”.
Në këtë kontekst, nuk është e rastësishme që ish-presidenti amerikan, siç njihet ndryshe edhe si Bushi plak, pa kohë me vonë do ta formulonte kërcënimin e famshëm të kërshëndellave, duke ia bërë të ditur ish-diktatorit Miloshevic, se Kosova është vija e kuqe që nuk bënë të tejkalohet. Sepse, sipas vlerësimeve gjeostrategjike amerikane, shpërthimi i një konflikti të pakontrolluar në Kosovë mund të shndërrohej në një potencial për ta destabilizuar tërë rajonin dhe kështu të rrezikohej siguria evropiane.
Ndërkohë, nëse i lexojmë më vëmendje përçarjet e fundit ndërmjet ish-administratës Trump dhe disa shteteve të BE-së, ato nuk qenë të motivuara nga synimet e Amerikës për t’i rrënuar këto lidhje, por u nxitën nga kritika amerikane se pse disa vende evropiane nuk po investojnë më shumë për ta mirëmbajtur veçanërisht NATO-në si aleanca më e suksesshme e sigurisë kolektive.
Pra, besimi i kryeministrit Kurti se mund të navigojë në këto tensione për të përfituar strategjikisht tregon, më mirë se asgjë tjetër, për iluzionet e tij ideologjike dhe politike.
Mbase kjo edhe është arsyeja që ai në fund e humbi edhe respektin amerikan dhe mbështetjen evropiane. Por kuptohet i përndezi zemrat dhe shpirtin e mbështetëseve tij, për këtë beteje heroike dhe titanike.
Mirëpo, janë lojëra të tilla infantile te cilat ndikuan që prej se ka filluar procesi dialogues ndërkombëtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e para të kritikohet si nga Uashingtoni ashtu edhe nga Brukseli si palë jo konstruktive në dialog, kurse e dyta te lavdohet. Dhe kjo goditje mjerisht nuk është vetëm goditje për të personalisht, por edhe për shtetin e Kosovës.
Shpresojmë që më lëvizjet e fundit që paska bërë mbrëmë në orët e vona të natës, ta rikthejë situatën në favor si për shtetin e Kosovës ashtu edhe për vete si kryeministër. Dhe nëse e arrin këtë objektiv, kur të shkon herën tjetër në Bruksel, ka gjasa t’i kuptojë gabimet e bëra dhe iluzionet e mëdha që ka kultivuar ndër vite për rolin e tij politik.