Lojërat Olimpike Tokyo 2020 pritet të mbahen këtë vit.
Të paktën kështu ka paralajmëruar kryetari i komitetit organizuar të këtyre lojërave i cili tha se përjashtohet mundësia e anulimit ose shtyrjes së tyre, ndërkohë që janë rritur dyshimet nga zyrtarët lokalë dhe profesionistët mjekësorë nëse është e sigurt që kjo ngjarje e rëndësishme sportive të mbahet në mes pandemisë.
Sondazhet e opinionit publik në Japoni kanë treguar vazhdimisht se shumica do që Lojërat Olimpike të anulohen ose të shtyhen përsëri, pasi janë shtyrë një vit, për shkak të krizës së koronavirusit.
Një mendim të ngjashëm e ka edhe shumica e Asamblesë Metropolitane të Tokios, njoftoi të enjten gazeta “Tokyo Shimbun”.
“Ne nuk mund ta shtyjmë përsëri”, tha Seiko Hashimoto (që dikur ishte atlet e tash politikan) në një intervistë për “Nikkan Sports”.
Kryeministri Yoshihide Suga mund të thërrasë edhe zgjedhje të parakohshme pas Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike, duke treguar vendosmërinë e tij që të mbahet kjo ngjarje.
Tifozët e huaj tashmë janë ndaluar që të marrin pjesë, derisa zyrtarët nuk kanë vendosur akoma nëse tifozët japonezë do të lejohen që të marrin pjesë.