Lojërat online tek fëmijët, ARKEP: ISP duhet të trajtoj të gjitha llojet e trafikut pa kufizime

Prishtinë | 25 Dhj 2024 | 08:33 | Nga Ekonomia Online

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka thënë se ofruesit e shërbimeve të qasjes në internet (ISP) gjatë ofrimit të shërbimeve duhet të trajtojnë të gjitha llojet e trafikut në baza jo diskriminuese, pa kufizime.

“Për informim, bazuar në Kornizën rregullatore për net neutralitet, Ofruesit e shërbimeve të qasjes në internet (ISP) gjatë ofrimit të shërbimeve duhet të trajtojnë të gjitha llojet e trafikut në mënyrë të barabartë, në baza jo diskriminuese, pa kufizime ose interferenca, dhe pavarësisht nga dërguesi dhe pranuesi, përmbajtja e qasur ose shpërndar, aplikaconet ose shërbimet e ofruara apo shpërndara, ose pajisja terminale e përdorur”, bëhet e ditur nga ARKEP.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i ka thënë portalit rtv21.tv se ky dikaster nuk ka kompetenca të monitorimit të përmbajtjeve në rrjetet sociale.

“Ofruesit e shërbimeve të qasjes në internet nuk duhet të përfshihen në masat e menaxhimit të trafikut, të cilat shkojnë përtej masave të arssyeshme të menaxhimit të trafikut, duke bllokuar, ngadalësuar, ndryshuar, kufizuar, ndërhyrë, degraduar ose diskriminuar në mes të përmbajtjeve specifike, aplikacioneve ose shërbimeve, ose kategorive të veçanta, përveç nëse është e nevojshme dhe vetëm për aq kohë sa është e nevojshme. Rrjedhimisht Arkep nuk është kompetent për monitorimin e rrjeteve sociale dhe permbajtjes qe publikohet aty”, thuhet tutje në përgjigjen e ARKEP.  

Javë më parë Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) në lidhje me sfidat e fundit të fëmijëve nga rrjetet sociale ka thënë se të gjitha rrjetet sociale që gjejnë përdorim pa kontroll nga prindërit janë të rrezikshme.

AIP apelon të gjithë prindërit të vendosin masa kontrolluese ndaj fëmijëve për përdorimin e rrjeteve sociale.

“Të gjitha rrjetet sociale të cilët përdoren nga fëmijët pa kontrollin e duhur prindëror janë të rrezikshme. Agjencia në vazhdimësi ka bërë thirrje ndaj prindërve që të vendosin masa kontrolluese ndaj fëmijëve për përdorimin e rrjeteve sociale”, thuhet nga AIP.

Të ngjashme