Shumica e lojtarëve të Anglisë i hoqën nga gjoksi menjëherë medaljet e finalistit, pas disfatës kundër Italisë në finale të Kampionatit Evropian 2020 të dielën.
Një gol i hershëm i Luke Shaw i dha Anglisë një fillim të përkryer në ndeshje në Wembley, por Leonardo Bonucci e barazoi rezultatin në pjesën e dytë, raporton Gazeta Express.
Asnjëra skuadër nuk ia doli më të shënojë as pas 90 minutave dhe vazhdimeve, duke bërë që fituesi i Euro 2020 të vendosej në penallti.
Gianluigi Donnarumma ishte heroi i Italisë në penallti, pasi i priti penalltitë e Jadon Sancho dhe Bukayo Saka, ndërsa Marcus Rashford e goditi shtyllën pingule. Ndërkohë, te Italia shënuan Domenico Berardi, Leonardo Bonucci dhe Federico Bernardeschi. Jorginho dhe Andrea Belotti dështuan.Reklamë
Të vetmit që shënuan për Anglinë nga pika e bardhë ishin Harry Kane dhe Harry Maguire.
Gjatë ceremonisë së prezantimit të medaljeve dhe trofeut, lojtarët e Italisë e formuan një tunel për t’i nderuar anglezët.
Por shumë prej lojtarëve të Anglisë, përfshirë Rashford, Sancho, Shaw, Jack Grealish, Mason Mount dhe Kyle Walker i hoqën nga gjoksi medaljet e vendit të dytë menjëherë pasi i pranuan nga presidenti i UEFA-s Alexander Ceferin.
Pritjet ishin të mëdha që ky ekip kombëtar i Anglisë do ta sillte më në fund trofeun evropian në shtëpi.
Anglia arriti në finalen e parë evropiane në historinë e saj dhe ishte në kërkim të trofeut të parë të madh pas plot 55 vjetëve.
Hera e fundit kur tre luanët e fituan një trofe të madh dhe të vetmin ishte më 1966 kur e fitoi Kupën e Botës.