Lojtarët e Ganës ende nuk mund ta falin veprimin e Suarezit, 10 vjet më pas

Prishtinë | 03 Kor 2020 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

“Ndeshja me Uruguain ishte një ndeshje që menduam se e fituam”, thotë John Paintsil, duke e kujtuar njërën nga ndeshjet më dramatike në historinë e Kupës së Botës, çerekfinalja e vitit 2010 ndërmjet Ganës dhe Uruguait në Johannesburg.

Realiteti ishte ndryshe, Gana nuk fitoi. Një lojë me dorë e Luis Suarezit, që e pengoi një goditje që shkonte në drejtim të portës në kohën shtesë, ishte një nga momentet më të diskutueshme dhe të paharrueshme të Botërorit. Suarez u përjashtua natyrshëm me kartonin e kuq, por Gana humbi penalltinë dhe përfundimisht u eliminua pas penalltive.

Dhimbja për Paintsilin dhe bashkëlojtarin e tij te Gana Hans Sarpei vazhdon të jetë e njëjtë si dhjetë vjet më parë.

Për shumë ganezë, Luis Suarez është kryerësi i njërit prej krimeve më të mëdha në historinë sportive të vendit.

“Ne u ndiem të mashtruar “, thotë Paintsil. “Ta ndalësh topin me dorë dhe ta pengosh golin, kjo do të duhej të ndëshkohej me gol.”

Paintsil thotë se njerëzit ende flasin për këtë incident, në Gana.

“Nuk mund ta falë atë, sepse nuk ishte një aksident”, shton Sarpei. “Ai e di se çfarë ka bërë. Ne po qanim dhe ju shihni se dikush që na ka mashtruar po feston. Si mund ta fal atë? Asnjëherë. Asnjëherë.”

Më 2 korrik 2010 Gana kishte mbi supe një komb të tërë, që i kishte shpresat te kombëtarja.

Afrika e Jugut ishte nikoqir i Kupës së parë Botërore në kontinentin e Afrikës, por “Bafana Bafana” nuk arriti ta kalonte as fazën e grupeve.

Ekipet e tjera afrikane ishin eliminuar të gjitha në të njëjtën fazë, duke mbetur në garë vetëm “Yjet e zeza”.

“Rrugës për ndeshjen kundër Uruguait mendoj se të gjithë e dinin që ne mund t’i mposhtim ata – mendoj se e gjithë bota po na mbështeste”, thotë mbrojtësi i majtë Sarpei.

“Mënyra se si ne luanim, sulmonim vazhdimisht, përpiqeshim ta shijonim lojën, kur ta shihni Ganën, është sikur të dëgjoni muzikë sepse topi nuk ndalet “.

Gana udhëhoqi në fund të pjesës së parë, me një goditje rrufe nga largësia, përmes ish-mesfushorit të Portsmouthit e Interit, Sulley Muntari.

Por Diego Forlani barazoi shifrat nga gjuajtja e lirë, dhe që nga ai moment të dyja skuadrat filluan të luanin futboll tërheqës – që vlerësohej pa dyshim si një nga ndeshjet më të mira të Botërorit – me të dy kombëtaret që renditnin rastet.

Por janë minutat e fundit të ndeshjes që i qesin hije të keqe këtij dueli të jashtëzakonshëm.

Gana fitoi një gjuajtje të lirë pak pranë 16-metërshit, e cila u krye nga Paintsil. Në zonë kishte shumë tollovi dhe ganezët provonin të shënonin, derisa nuk erdhi topi te kapiteni Steven Appiah, i cili gjuan në drejtim të portës, por atë e pengon Suarezi, duke e pritur me dorë, si të ishte një portier.

“Unë mendova se ky ishte një gol pasi ai luajti me dorën dhe pengoi golin, kështu që unë nisa të festoja”, kujton Pantsil. “Atëherë pashë që ishte një penallti.”

Suarezi u përjashtua nga loja, duke e lënë fushën nën lot, ndërsa ganezët filluan festën.

“Mendoj se të gjithë tifozët tanë mendonin se po kualifikoheshim për në gjysmëfinale, sepse Asamoah Gyan kishte shënuar dy gola nga penalltitë më parë”, thotë Sarpei.

Gyani kishte qenë lojtari kryesor i Ganës në Botëror, duke kryesuar listën e golashënuesve dhe duke shënuar edhe golin e fitores ndaj SHBA-së, një fazë më parë, një tjetër ndeshje që ishte vendosur pas vazhdimeve.

“Për mua topi po shkonte në rrjetë dhe ne po kalonim në raundin tjetër.” Kujton Sarpei. “Por topi qëlloi tërthorësen dhe mendimi im i parë ishte se ‘a është kjo e vërtetë?’ Topi nuk është në rrjetë? Çfarë po ndodh?’

“Në këtë moment, kur ai nuk shënoi dhe ne duhej të vendosnim ndeshjen përmes penalltive, ndjenja ishte tani se do të jetë e vështirë të kalojmë në raundin tjetër.”

Suarezi, i cili ishte ndalur në tunel për të parë penalltinë, u xhirua duke festuar kur Gyan humbi penalltinë – një pamje që vazhdon ta mundojë e tmerrojë ende Paintsilin.

“Pas humbjes së penalltisë sonë ti po feston, duke e bërë tërë atë tollovi vetë dhe duke na e shtuar edhe më shumë dhimbjen. Të paktën bëhu profesionist! Thjesht shko në teshatore dhe festo atje ku nuk të sheh askush! “

Suarez u citua në media duke thënë se “Dora e Zotit tani më përket mua”, duke iu referuar golit të Diego Maradonës kundër Anglisë, në Kupën e Botës më 1986.

Gana humbi përmes penalltive dhe me të shkoi edhe mundësia e artë e Afrikës për të fituar një kampionat botëror.

Në të dy botërorët më pas, që nga atëherë, asnjë kombëtare afrikane nuk i është afruar gjysmëfinales.

Ndeshja kundër Ganës është ajo ku Luis Suarez fitoi për herë të parë famë të keqe ndërkombëtarisht. Gjashtë muaj më vonë ai do t’i bashkohej Liverpoolit nga Ajaxi.

Suarez rrezikoi gjithçka për ta ndihmuar ekipin e tij të kalonte në gjysmëfinalen e parë që nga viti 1970, por aty u mposht 3-2 nga Holanda.

“Dikush duhet të bëjë atë që duhet të bëjë për ta bërë vendin e tij krenar dhe kjo është ajo që ai na bëri”, thotë Paintsil – por i pyetur nëse do të vepronte njëjtë Suarezi, ai thotë me shumë vendosmëri.

“Asnjë lojtar afrikan nuk do ta bënte atë”, thotë ai. “Afrikanët janë më sportistë. Edhe sikur topi do të shkonte drejt portës, unë do të mundohesha ta largoja atë me këmbë, në stilin kung-fu”.

Thonë se koha shëron plagët e vjetra. Por 10 vjet më vonë, plaga ende duket e hapur për Hansin dhe Johnin.

“Akoma dhemb. Unë jam akoma duke e ndier atë sa herë që mendoj për të,” thotë Pantsil.

“Shumë gjëra do të kishin ndryshuar në futbollin ganez, në vendin tonë dhe gjithashtu në Afrikë. Kjo do t’ua mundësonte edhe shteteve tjera afrikane të merrnin pjesë në kampionatet e tjera, pasi varet edhe nga rezultatet e kombëtareve të kontinentit. Nuk besoj se do të mund ta harroj këtë ndjenjë ndonjëherë. “

Të ngjashme