Futbollistët e klubit të La Ligës, Eibar, i kanë shprehur shqetësimet e tyre përmes një komunikate të përbashkët për media, duke e nënvizuar druajtjen se mbase futbolli është duke u rikthyer herët midis pandemisë koronavirus.
La Liga njoftoi se lojtarët mund t’iu rikthehen stërvitjeve nëpër qendrat stërvitore të klubeve për t’u përgatitur për rifillimin e sezonit 2019/20.
Por me këtë nuk po pajtohen lojtarët dhe stafi i trajnerëve i Eibar, të cilët i kanë shprehur shqetësimet përmes një komunikate të martën.
“Ne e dimë qe jemi të privilegjuar dhe ne i shijojmë stërvitjet dhe lojën prandaj duam të luajmë. Por para se me qenë futbollistë, ne jemi njerëz. Si shumë njerëz të tjerë në shoqëri, edhe ne po brengosemi për gjendjen shëndetësore”, thuhet në komunikatën e tyre.
“Ne kemi frikë se nëse i rikthehemi futbollit nuk do të jemi në gjendje t’i përmbahemi udhëzimeve parimore të ekspertëve; pra mbajtjes së distancës sociale. Ne jemi të brengosur se duke e bërë atë që e shijojmë më së shumti, ne mund ta marrim virusin dhe t’i infektojmë shokët dhe familjet tona. Ne bëjmë thirrje për garanci dhe përgjegjësi”, shkruhet tutje në komunikatë.